Aktualitet

Në dallim nga avokatët, Shoqata e Gjyqtarëve vlerëson hartën e re gjyqësore!

Ndryshe nga avokatët që në disa zona ende vijojnë bojkotin, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve thekson se harta e re gjyqësore “do të shërbejë jo vetëm për të zbutur sadopak pasojat e vetting-ut, por edhe për t’i dhënë vendit një shërbim gjyqësor sa më cilësor në të ardhmen”. Në një deklaratë për shtyp, thekson:

Reforma në sistemin e drejtësisë, e mbështetur që në krye të herës nga ana e Shoqatës me mendime dhe nisma propozuese, si një ndër qëllimet e saj kryesore ka ndërtimin e një pushteti gjyqësor efiçent, në pikëpamje kohore, cilësore dhe ekonomike. Për ta realizuar këtë lipset projektimi i një strukture gjyqësore që ta maksimizojë këtë qëllim si dhe një shpërndarje e studiuar e burimeve njerëzore në këtë aspekt.

Edhe pse procesi i vettingut krijoji boshllëqe të mëdha në pushtetin gjyqësor kjo nuk e zbehu aspak, përkundrazi e shtoi vendosmërinë e subjekteve të angazhuara në procesin e skicimit të hartës së re gjyqësore, e cila do të shërbejë jo vetëm për të zbutur sado pak pasojat e këtij procesi të nevojshëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për t’i dhënë vendit një shërbim gjyqësor sa më cilësor në të ardhmen.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson maksimalisht punën gati tre vjeçare të udhëhequr deri më tani nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me analizën dhe projektimin e hartës së re gjyqësore. Harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve për dhënien e një drejtësie cilësore dhe në kohë të barabartë për të gjithë.

Specializimi i gjyqtarëve dhe ecja me shpejtësi të njëjtë e çështjeve të ngjashme, në të gjithë gjykatat e Republikës, përbën një synim dhe sfidë që do të përmbushet pa më të voglin dyshim nga riorganizimi gjyqësor i parashikuar në këtë dokument. Mbështesim dhe inkurajojmë miratimin sa më parë të këtij dokumenti me rëndësi strategjike për të tashmen e të ardhmen e drejtësisë në vendin tonë. Angazhohemi të mos e kursejmë ndihmën për çdo iniciativë që çon në përmirësimin e standardit të dhënies së drejtësisë në vendin tonë.