Aktualitet

Në Durrës, transporti detar i rikthehet normalitetit!

Ndonëse mbetemi në kushtet e motit të paqëndrueshëm, në portin e Durrësit u rikthye normaliteti për transportin detar. Sipas Autoritetit Portual, tragetet e linjës Durrës-Bari u nisën në oraret e parashikuara mbrëmjen e kaluar, po ashtu mbërritën sot në kohë në portin e Durrësit, më i madhi në vendin tonë. Si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të shumta të shiut, u anulua për dy ditë lundrimi i tyre. Tre ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi se për shkak të motit të përkeqësuar, më 31 mars e 1 prill do të pezullohej lëvizja e trageteve, mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit.

Paradite, vendi ynë do të paraqitet nën ndikimin e vranësirave dhe shirave të dendur e herë pas here shirat do të jenë rrebeshe. Sipas shërbimit MeteoAlb, më problematike situata vijon në veri të Shqipërisë. Gjithashtu, nuk mungojnë stuhitë e forta të erës.

Parashikohet që pasditja dhe mbrëmja të sjellin dobësim të intensitetit të shirave në të gjithë territorin shqiptar. Temperaturat luhaten në vlerat nga 1 në 13 gradë celcius. Era fryn e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi verior e verilindor, duke krijuar dallgëzim 3 ballë në brigjet detare.

Sa i përket parashikimit të motit për ditën e nesërme, situata atmosferike do të mbetet e paqëndrueshme në të gjithë territorin e vendit duke bërë që vranësirat dhe shirat të dominojnë në bregdet e në zonat e ulëta dhe ku herë pas here do të ketë rrebeshe.

Ndërkaq, zonat malore do të kenë reshje dëbore me intensitet të ulët. Gjate orëve të vona të pasdites së nesërme pritet përmiresim gradual i kushteve atmosferike duke larguar reshjet e shiut dhe dëborës nga i gjithë terriori i vendit. Të dielën e 3 prillit, temperaturat do të luhaten në vlerat ditore nga 0 deri në 14 gradë celcius. Era pritet të fryjë mesatare me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi verilindor. Për pasojë, në brigjet detare java do të mbyllet me dallgëzim 2-3 ballë.