Bota

Në Europë zgjerohet harta e vendeve që po marrin dozën e tretë të vaksinës anti-COVID!

Qipro dhe Italia u bënë vendet më të fundit në Europë që njoftuan se do të fillojnë të japin doza përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit. Qeveria italiane deklaroi se nga fundi muajit do të fillojë të ofrojë dozën e tretë për grupet që cilësohen “të cënuar” e ku përfshihen ata me sistem të dobët imunitar. Kryeministri Mario Draghi u shpreh se në Itali janë vaksinuar 70% e qytetarëve nga mosha 12-vjeç.

Qipro tha se do t’u japë dozën e tretë të moshuarve mbi 65-vjeç dhe personave që trajtohen në shtëpi kujdesi. Vaksinimi i plotë i tyre është bërë para më shumë se gjashtë muajsh. Më 1 shtator, Franca u bë i pari vend i madh i Bashkimit Europian që ka nisur të japë doza përforcuese për njerëzit mbi 65-vjeç dhe ata me imunitet të dobët.
Autoritetet shëndetësore spanjolle po shqyrtojnë mundësinë për të vepruar në të njëjtën linjë.

Në fillim të kësaj jave, u bë e ditur se në tërësi, Bashkimi Europian arriti objektivin fillestar për vaksinimin e 70% të rriturve. Organizata Botërore e Shëndetësisë kritikoi vendet e pasura që po përgatiten për të siguruar doza përforcuese në kohën kur ato të varfra ende luftojnë për të siguruar furnizimet me doza të para.

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njoftoi se të vaksinuarit plotësisht nuk kanë nevojë urgjente për dozën e tretë, por duhet të merret parasysh për njerëzit me sistem të dobët imunitar.