Aktualitet

Në fillim të dhjetorit, opinioni i Venecias për zgjatjen e vetting-ut!

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, Komisioni i Venecias pritet të japë opinionin e tij për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut në fillim të dhjetorit. Në përfundim të mbledhjes së grupit, u pyet nga gazetarët se çfarë do të bëjë PS-ja për të fituar votat e opozitës, për zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut?

Nuk dua më të bëj debat mbi këtë çështje, as deklarata që nuk i vlejnë nevojës së Kuvendit, për të vazhduar shqyrtimin në procedurë parlamentare. Tashmë, kjo çështje i takon Këshillit të Legjislacionit, Komisionit të Ligjeve, madje edhe Komisionit të Venecias, që u ftua nga Kryetarja e Kuvendit për të dhënë opinion urgjent. Me sa jam informuar, Komisioni i Venecias e ka parashikuar në ditët e para të dhjetorit. Le t’i shmangim diskutimet në publik për këtë çështje, të çohet para një nevojë, që nuk u parashikua 5 vite më parë, por sot është domosdoshmëri.

Lidhur me kërkesën e prokurorëve të SPAK-ut për mandat të pakufizuar, Balla kujtoi se kemi të bëjmë me ndryshim kushtetues.

Ndryshimet kushtetuese kanë një procedurë tepër të veçantë, të parashikuar nga Kushtetuta dhe nga libri i rregullave të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ka një depozitim me firma deputetësh, të cilët janë i vetmi instrument që e fusin këtë nismë në procedurë. Koha në dispozicion është e mjaftueshme sepse asnjë prej prokurorëve të Prokurorisë Speciale nuk është në fund të mandatit të tij, por thuajse në fillim. Do kemi kohë ta diskutojmë. Tashmë, nga eksperienca prej shumë vitesh si ligjvënës, mendoj se kjo është çështje që meriton të vlerësohet, po të nisemi nga ecuria e deritanishme.

Në mbledhjen e grupit socialist, gjithashtu u diskutua Buxheti 2022 dhe Paketa Fiskale.

Grupi parlamentar do të mbështesë plotësisht Paketën Fiskale dhe Buxhetin e Shtetit për vitin 2022. Jo vetëm është buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, por mendoj që është edhe buxheti më i drejtë, sa i përket parimeve të drejtësisë sociale.