Bota

Në Francë priten protesta të reja, shkak reforma për pensionet!

Në Francë janë planifikuar protesta të reja gjatë fundjavës kundër planit për reformimin e sistemit të pensioneve të paraqitur nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili parashikon rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç.

Protestat e reja janë planifikuar për sot në Paris, si dhe në qytetet Marseille dhe Nantes, por ato pritet të jenë më të vogla se ditët e mëparshme, raportoi AP.

Në Paris, dy netët e mëparshme u mbajtën protesta kundër reformës së sistemit të pensioneve, me pjesëmarrjen e mijëra demonstruesve dhe në sheshin Concorde u dogj një poster me imazhin e Macron.

Policia shpërndau protestuesit me gaz lotsjellës dhe ujë, ndërkohë që pati dhe qindra të arrestuar.

Protestuesit po përpiqen të bëjnë presion ndaj ligjvënësve për të rrëzuar qeverinë e Macron dhe për të shuar një rritje jopopullore të moshës së daljes në pension që po shtyhet pa votim në Asamblenë Kombëtare.