Aktualitet

Në gjyq për masën e sigurimit personal, i dyshuari u ndje keq dhe humbi ndjenjat në Gjykatën e Durrësit!

Grabitën dyqanin ushqimor në Spitallë, një nga autorët e dyshuar humbi ndjenjat në sallën e gjyqit. Ngjarja e pazakontë ndodhi sot në Gjykatën e Durrësit kur po zhvillohej seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të arrestuarve për vjedhje, për të cilët u vendos “Arrest në burg”.

Gjatë seancës së drejtuar nga gjyqtarja Besjana Gërxanaj njëri prej të akuzuarve është ndjerë keq, çka çoi në ndërprerje të kësaj seance.
Pasi Erlind Shehaj 35 vjeç humbi ndjenjat, ndërsa mësohet se vuante nga epilepsia, pranë tij shkoi shërbimi i Urgjencës për t’i dhënë ndihmë mjekësore. Në pamjet që qarkulluan, u pa të nxirrej me karrocë nga mjediset e Gjykatës së Durrësit për t’u dërguar në spital për trajtim më të specializuar mjekësor.

Shehaj me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje dhe Orges Mona 34 vjeç, të dy me banim në Durrës u arrestuan nga policia vendore si të dyshuar për vjedhjen me armë të xhiros ditore të një dyqani ushqimor në zonën e Spitallës. Nga hetimet, dyshohet se ata qëndrojnë edhe pas dy vjedhjeve të tjera në një banesë në lagjen 6 të qytetit bregdetar e në një dyqan në fshatin Arapaj.