Republikanët janë hedhur në mbështetje të ish presidentit Donald Trump që përballet me mundësinë e ngritjes së akuzave penale ndaj tij lidhur me pagesat e bëra për të blerë heshtjen e një ylli i të filmave për te rritur.
Pretendimi i fundit i tyre është se bëhet fjalë për një rast të pastër me prapavijë politike për të cilin fajësuan investitorin dhe filantropin George Soros.
92-vjeçari është akuzuar pa prova për shumë gjëra deri më tani, duke nisur nga pagesa e protestuesve të dhunshëm deri tek krimet zgjedhore. Trump dhe republikanët e tjerë thonë se Prokurorin i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, që ka në dorë çështjen e tij, po vepron pikërisht në emër të hungarezo-amerikanit të famshëm hebre. Trump përdori platformën e tij Truth Social për të ngritur pretendimet se Bragg ka marrë nga Sorosi më shumë se një milion dollarë. Senatori i Ohajos, J.D. Vance, shkroi në Twitter se prokurori ishte “blerë nga George Soros”.
Edhe guvernatori i Floridës Ron DeSantis e quajti rastin një cirk të prodhuar nga një prokuror i financuar nga Soros. Komentet e Trumpit kanë zanafillën tek një donacion që filantropi bëri në vitin 2021, kur dhuroi 1 milion dollarë për organizatën “Color of Change”, një grup politik i cili zhvilloi një fushatë të pavarur financiare për të mbështetur zgjedhjen e Bragg në postin e prokurorit. Sipas ekspertëve, pretendime të tilla shfrytëzojnë një zonë gri të mbledhjes së fondeve për fushata, ku mund të jenë të paqarta lidhjet mes donatorëve dhe kandidatëve që përfundimisht marrin fondet.