Bota

Në ishujt Kanarie, nuk duhet më Green Pass në bare e restorante!

Paraqitja e Green Pass-it nuk do të jetë më kërkesë e detyrueshme për të hyrë në lokalet dhe aktivitetet e tjera në ishujt Kanarie. Kjo sipas vendimit të fundit të qeverisë spanjolle ndërsa deri tani, leja ishte e detyrueshme për baret apo restorantet. Vendimi u mor pas konstatimit të një përmirësimi të indekseve epidemiologjike. Spanja e kaloi kulmin e valës së fundit të koronavirusit, të nxitur nga varianti Omicron e tashmë kurba e infektimeve po bie në vendin ku për çdo ditë po shënohet rënie e numrit të rasteve me COVID-19. Në fillim të javës së kaluar, shkalla e incidencës shtatë-ditore arriti pikën më të lartë prej 1 mijë e 306 për 100 mijë banorë.

Ndërkaq, edhe Suedia njoftoi heqjen e kufizimeve për frenimin e koronavirusit. Kryeministrja Magdalena Andersson i tha gazetarëve, se “vendimi është marrë me sugjerim të Agjencisë së Shëndetit Publik”. Duke argumentuar se pandemia COVID-19 është nën kontroll, Andersson theksoi se “virusi nuk ka dëmtuar shërbimet shëndetësore publike” dhe se “situata është e qëndrueshme në repartet e terapisë intensive të spitaleve”. Agjencia e Shëndetit Publik raportoi se vdekjet nga COVID-19 u rritën në mbi 16 mijë e numri i të prekurve ka tejkaluar shifrën 2.2 milion.

Në fillim të muajit shkurt, Danimarka u bë shteti i parë i Bashkimit Europian që hoqi shumicën e masave kufizuese kundër COVID-19/ës. Në të njëjtën ditë, vendimi u pasua nga Norvegjia, vend që vendosi t’i japë fund ndalimit të përdorimit të alkoolit pas orës 23:00 dhe kufirit të grumbullimeve private me jo më shumë se dhjetë persona.

Edhe Franca veproi ngjashëm duke vendosur që nga 2 shkurti, mbajtja e maskës në ambientet e jashtme të mos jetë e detyrueshme. Po ashtu, hoqi limitin për numrin e personave që mund të marrin pjesë në koncerte, ndeshje sportive e të tjera aktivitete.

Ndërsa në Gjermani vazhdojnë të intensifikohen thirrjet për heqjen e kufizimeve lidhur me COVID-in, nga qeveria ka sinjale se kjo mund të ndodhë muajin e ardhshëm. Ministri i Drejtësisë, Marko Bushman u shpreh se “shpreson që në mars, shumë nga masat mbrojtëse të hiqen”.