Nga Prishtina, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe mikpritësi Albin Kurti po zhvillojnë konferencën e përbashkët për shtyp, ku po njoftohen marrëveshjet e arritura mes dy vendeve shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të ketë fletore zyrtare të dy qeverive që publikohet rregullisht në fund të çdo viti.
“Kemi rënë dakord që në periudhën e fundit të vitit të publikojmë revistën e parë bashkëqeveritare e cila do t’i shërbejë të gjithë të interesuarve për të parë të gjitha faktet dhe shifrat e bashkëpunimit, të gjitha marrëveshjet dhe nivelin e zbatimit të tyre.
Do të kemi një fletore zyrtare të të dyja qeverive, e cila publikohet rregullisht në fund të çdo viti për të informuar të gjithë të interesuarit për ecurinë e bashkëpunimit mes nesh. Albini e tha me fjalë të tjera, unë po e them me shifër. Volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë 136 milionë euro, volum qesharak, sot jemi në 433 milionë euro që nuk është ende volumi që kemi ambicien të arrijmë, e kemi deklaruar që duam më shumë se 1 miliard, por nuk mund ta quash më të papërfillshëm. Nuk është një shifër me pak domethënie, por rezultat i mundit, i djersës, ambicies së sipërmarrësve shqiptarë dhe i nxitjeve që kemi mundur të krijojmë”, tha Rama.
Gjithashtu, me propozim të Kryeministrit Rama, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive sot në Prishtinë është rënë dakord që të mbahet në nëntor mbledhja e përbashkët e 2 kuvendeve.
“Pas çdo mbledhje të përbashkët ne i afrohemi dokumentit të partneritet strategjik, të nënshkruar në Prizren në vitin 2014. Rama dakord që në kuadër të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë të organizojmë për herë të parë Kuvendin e përbashkuar të të dyjave republikave. Seancë jubilare ku deputetët e të dyja shteteve do të jenë bashkë për t’i adresuar popullit shqiptar në të dy anët e kufirit”, tha Rama në konferencë për mediat me Albin Kurtin.
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe kritikëve për përplasjen me qeverinë e Albin Kurtit.
“Kam dhe një lajm për ata që kërkojnë të gjejnë arsye që bëjnë komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë së duhur të punës mes dy qeverive. Me qeverinë aktuale kemi shkallën më të lartë të nënshkrimit të marrëveshjeve të nënshkruara përfshirë dhe ato të kaluara. Shpresoj të konsiderohet fakt dhe jo për spekulime se jam i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës”, tha Rama.