Aktualitet Celebrities Live From Tirana

“Ne kemi problem me kulturën e heshtjes”/Drejtësia sociale në Shqipëri nga sytë e Ervin Muços!

Sot, i ftuar në emisionin “Live from Tirana” nëpërmjet një lidhjeje telefonike, ishte Ervin Muço, punonjës social, për të na folur në lidhje me temën e ditës së sotme “A ekziston koncepti i drejtësisë sociale në Shqipëri?”. Por çfarë është drejtësia sociale sipas Ervinit?

Ka një sërë definicionesh por në thelb mbështetet në 4 pika kryesore që ka të bëjë më respektimin e të drejtave të njeriut, por kjo nuk mjafton. Ligjet e mira që kemi nuk gjejnë zbatim, më pas vijon me pjesëmarrjen, përfshirja e anëtarëve të shoqërisë dhe e fundit drejtësia apo paanësia që njerëzit të trajtohen në mënyrë të barabartë. Pabarazia është e pashmangshme përsa kohë disa grupe dominojnë në shoqëri, njerëzit kanë tendencën të përplasen. Është utopike por ne nuk duhet të themi ky është fati dhe ta pranojmë. Është vështirë të arrijmë drejtësi sociale.

Sa ekziston koncepti i drejtësisë sociale në Shqipëri?

Unë besoj që ne kemi 2-3 probleme tek kjo pjesë. Unë shoh një problem shumë të madh dhe e shoh midis brezave. Ne kemi problem me kulturën e heshtjes, jemi shoqëri që flasim dhe shprehemi shumë pak. E them këtë në të gjitha fushat. Ne kemi probleme të mëdha qoftë në marrëdhënie prindërore dhe midis partnerëve por edhe në shkollë e shoqëri. Jemi shoqëri që mbajmë shumë. Kjo nuk është çështje kulturore, kjo është më shumë një lloj pasojë traume që kemi kaluar si shoqëri dhe tani është kthyer në një normë shoqërore.

Si ushtrohet apo sa ka drejtësi sociale në Shqipëri? Ervin Muço thotë se:

Unë besoj që një rol shumë të madh kanë luajtur aktorët e shoqërisë civile që janë të fokusuar në kauza specifike por edhe roli i mediave. Këtu është pesha më e madhe e përpjekjes për të pasur drejtësi sociale për problemet që janë të padukshme apo nuk kanë guximin të jenë të dukshme. Në nivel institucional lë vend për të dëshiruar. Ata tentojnë por në situatën ku jemi kërkon më shumë punë dhe përpjekje.

Si mund të garantojmë drejtësinë sociale?

E para duhet të fillojë nga ne, nuk është thjesht çështje teknike. Nëse do të kishte rezistencë kaq të madhe për t’i bërë reale këto ligje të shkruara, ne do të ishim në një tjetër situatë. Kemi nevojë për ndryshim të mentalitetit dhe qasjes sonë.

A luan vullnetarizmi një rol të rëndësishëm?

E shikoj vullnetarizmin si një instrument për të fuqizuar grupet tona, për të diskutuar për tema specifike si barazia, drejtësia, pabarazia sociale, etj. Por nuk mjafton vetëm diskutimi por edhe të angazhohemi në kauza të caktuara për të sjellë ndryshimin në shoqëri. Në vullnetarizëm jo vetëm japim por edhe marrim.