Rajoni

Në Kosovë jepet dënimi i parë për dhunë seksuale gjatë luftës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiç për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cilësoi dënimin e Vukotiçit si “lajm të mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët, por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”.

“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”, tha Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), dënimi i Vukotiçit shënon “një moment kthese dhe shprese”, jo vetëm për viktimën, që ka dëshmuar kundër agresorit, por edhe për të mbijetuarit e tjerë “që një ditë drejtësia do të vihet në vend”.

Bazuar në të dhënat e prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.