Aktualitet Politikë

Në Kuvend, kryeministri Rama ftesë PD-së për dialog!

Në një seancë plenare që parashikohet të zgjasë, kryeministri i dekretuar Edi Rama po prezanton në Kuvend programin qeverisës, në mandatin e tretë. Që në fillim, Rama deklaroi se i shtrijnë dorën Partisë Demokratike.

Kjo nuk është një fjalë sa për të kaluar radhën, por një vijë mendimi, për të cilën ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për ta bërë një vijë sjelljeje përgjatë këtij mandati sfidues për Shqipërinë.

Ndërsa vuri në dukje se nga demokratët nuk kërkon lëshime, shprehu gatishmërinë e maxhorancës për ta dialoguar me ta për çdo lëshim që kërkojnë.

Neve nuk na duhet asnjë votë e juaja dhe nuk synojmë të arrijmë asnjë kompromis që ju nuk dëshironi. Por, jemi gati të merremi vesh me ju për çdo gjë që ju dëshironi dhe i bën mirë vendit, njerëzve, të ardhmes.

Por, pavarësisht gatishmërisë për të dialoguar, shefi i Qeverisë i bëri të qartë opozitës se nuk arrihet gjë me ultimatume e kërcënime.

Jemi të hapur të dialogojmë drejtpërdrejtë me ju, por një gjë mbajeni sidoqoftë parasysh: me urdhëra, kërcënime, ultimatume, me ne nuk keni arritur dhe nuk do të arrini asnjëherë asgjë. Ndërsa me komunikim të drejtpërdrejtë duke folur e dëgjuar njëri-tjetrin me argumente e me durim, ne mund të merremi vesh për shumëçka.

Në foltoren e Kuvendit, Kryeministri ripërsëriti qëndrimin sa i takon ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në zgjidhjen e problemeve të brendshme.

Eshtë thjesht një përsëritje, e kam komunikuar fill pas përfundimit të Reformës Zgjedhore. Asnjëherë dhe për asnjë arsye, unë dhe kjo shumicë qeverisëse nuk do të pranojmë asnjë lloj ndërmjetësuesi të huaj për të zgjidhur problemet, ngërçet, krizat e brendshme politike apo institucionale. Ato shkaktohen “alla shqiptarçe” nga ne dhe nga ju, jo nga miqtë e partnerët ndërkombëtarë. Prandaj do të zgjidhen vetëm nga ne, jo duke folur anglisht me njëri-tjetrin, por vetëm shqip.

Krahas paraqitjes nga Kryeministri, gjithashtu në rendin e ditës së Kuvendit është parashikuar debat mbi programin politik e përbërjen e Këshillit të Ministrave.