Bota Tech

Në misionin hapësinor SpaceX përfshihen dhe iPhone e Apple Watch!

Më 15 shtator kur të fillojë, misioni “Inspiration4” i SpaceX pritet të dërgojë katër qytetarë në hapësirë brenda anijes kozmike “Crew Dragon”, që do të orbitojë Tokën për tre ditë, para se të zbresë në Oqeanin Atlantik. Për të monitoruar gjendjen shëndetësore dhe ndryshimet që pëson trupi te njerëzit që nuk kanë përvojën e stërvitjen e një astronauti, SpaceX do t’i pajisë të gjithë me Apple Watch Series 6, iPhone 12 Pro e iPad mini.

Apple Watch do të monitorojë EKG-në, si dhe pritet të mbledhë të dhëna për lëvizjet, gjumin, oksigjenin në gjak, zhurmën e kabinës e intensitetin e dritës.
Të dhënat do të mblidhen nga pajisjet e “Crew Dragon”, por edhe nga aplikacioni Cognition në iPad mini, program i përdorur nga hulumtime të ndryshme të financuara nga NASA.

IPhone 12 Pro do të ndërveprojë me Butterfly IQ +, pajisje portative me ultratinguj, për të skanuar organet e ekuipazhit. Vlerësimi do të ndihmojë në përcaktimin nëse imazhet e shkallës klinike mund të merren pa ndihmë nga Toka.

Teste të tjera përfshijnë grumbullimin dhe ekzaminimin e pikave të gjakut, duke përdorur një pajisje imunologjike të rrjedhës vertikale (VFI), vlerësimet e ekuilibrit e perceptimit, si dhe mbledhjen e mostrës biomjekësore. Për këtë të fundit, SpaceX po bashkëpunon me Institutin Kërkimor për Shëndetin Hapësinor (TRISH) të Kolegjit të Mjekësisë “Baylor” dhe ekspertë nga Weill Cornell Medicine.