Aktualitet

Në nivele minimale, raporti i kredive me probleme jashtë vendit!

Cilësia e portofolit të kredisë së dhënë jashtë vendit nga sektori bankar shqiptar qëndroi në nivele të mira edhe për gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme për kreditë jorezidente në mesin e këtij viti qëndroi në nivelin 0.3%, nivel i ngjashëm me fundin e vitit nga 1.6% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto shifra janë dukshëm më të ulëta në raport me treguesit mesatar të kredive me probleme të sektorit bankar shqiptar, që në mesin e këtij viti ishte në nivelin 5.3%.

Megjithatë, portofoli i kredisë së dhënë jashtë vendit është ndjeshëm më i vogël krahasuar me huadhënien e brendshme dhe i përqendruar në më pak huamarrës. Në fund të muajit qershor 2022, kredia për jorezidentët ishte 25 miliardë lekë dhe zinte rreth 3.6% të tepricës së kredisë së sektorit bankar. Stoku i kredisë për subjektet jorezidente ra me rreth 8% gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, por, krahasuar me një vit më parë, portofoli u rrit me rreth 11%.

Kontributin kryesor në zgjerimin e kredisë për jorezidentët në terma vjetorë e ka dhënë rritja në stokun e kredisë për bizneset, kredisë në monedhë të huaj dhe kredisë afatgjatë. Këto janë njëkohësisht kategoritë me peshën më të madhe në stokun e kredisë për subjektet jorezidente.

Ndonëse raporti i kredive me probleme për jorezidentët është në nivele mjaft të ulëta, ky segment paraqet potencialisht rreziqe shtesë të natyrës ligjore, në rastet kur bankat mund të përballen me nevojën për ekzekutim të detyrimeve. Kredia jorezidente e sektorit bankar shqiptar arriti pikun në vitin 2017, por edhe atëherë ajo ka qenë e kufizuar në pak banka të mëdha të sistemit. Vitet e fundit, këto banka kanë kërkuar alternativa huadhënieje në vendet e rajonit, sidomos në tregje si Kosova, ku kthimet në sektorin bankar kanë qenë më të kënaqshme dhe raporti i kredive me probleme ka qenë më i ulët.

Një pjesë e madhe e kredisë jashtë vendit lidhej sidomos me aktivitetin e degës së BKT në Kosovë. Pasi aktiviteti i BKT u rrit dhe ajo fitoi më shumë se 10% të tregut kosovar, dega në fjalë u nda nga banka mëmë në Shqipëri. Kjo bëri që kredia e klasifikuar si jorezidente të pësojë rënie të ndjeshme. Një faktor që ka nxitur investimet tek jorezidentët, përfshi këtu edhe kredidhënien jashtë vendit, në vitet e fundit ka qenë edhe rritja e ndjeshme e depozitave në valutë dhe sidomos në euro.

Më shumë se gjysma e depozitave në sektorin bankar shqiptar janë në valutë të huaj dhe tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies. Sidoqoftë, huadhënia në valutë të huaj për atë shumicë huamarrësish që i kanë të ardhurat në lekë nuk favorizohet nga kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë. Në rastet kur kredia është e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, bankave iu kërkohet një mbulim më i lartë me kapital. Disa prej bankave të sistemit kanë eksploruar edhe tregjet e huaja të huadhënies, me fokus kryesisht te klientët biznes./ Monitor.