Bota Food & Drink

Në nivelin më të ulët në histori, çfarë po ndodh me prodhimin e verërave në Francë?

Prodhimi i verës franceze pritet të bie nga 24% në 30% këtë vit dhe kështu të jetë në një nivel “historikisht të ulët” për shkak të episodit të rëndë të ngricës së pranverës. Ndërkaq, Ministria franceze e Bujqësisë deklaroi se:

Prodhimi i verës në 2021 parashikohet të jetë historikisht i ulët, më i ulët se ai i 1991 dhe 2017, i prekur gjithashtu nga një acar i fortë në pranverë. Rënia e prodhimit midis 1977 dhe 2021 është pasojë e një reduktimi të rregullt në zonat e verës midis këtyre dy datave.

Ngrica e prillit preku rëndë, gjithashtu, pemët frutore franceze, në veçanti kajsitë, vjelja e të cilave në vitin 2021 pritet të përgjysmohet, në krahasim me mesataren 2016-2020 dhe, sipas vlerësimeve nga shërbimi statistikor i ministrisë, Agreste, kjo do të jetë vjelja më e keqe në 42 vjet.

Rikujtojmë, se së fundmi ka shpërthyer lufta e shampanjës mes Rusisë e Francës. Luftën e hapi presidenti rus, Vladimir Putin, i cili firmosi një ligj që penalizon statusin simbol në emërtimin e pijes më të famshme në botë. Shampanja që eksportohet në Rusi nuk do të quhet më kështu por thjesht spumante. Për francezët kjo është fyerje e duhen marrë masa.

Të indinjuar, francezët vendosën të ndalojnë eksportin në Rusi të Moet&Chandon, Veuve Cliquot e Dom Perignon. Nuk bëhet fjalë të ndryshohet emri nga shampanjë në spumante. Vendimi për ndalimin e eksportit nuk diskutohet ndonëse i përkohshëm, në pritje të gjetjes së zgjidhjes.