Celebrities Pardon My French

Në një intervistë speciale, Lori dhe Sara flasin për familjen e tyre: “Vizioni i babait tonë është i shpërndarë në katër!”

Sara dhe Lori Hoxha njihen gjerësisht për kontributin që ato kanë dhënë në familjen e madhe të Top Channel, por edhe për marrëdhënien e tyre të veçantë shumë të ngushtë me njëra-tjetrën. Së fundmi, ajo ku motrat Hoxha janë përkushtuar më së shumti është “Big Brother Vip Albania”, një nga programet më të suksesshme televizive, i cili ka thyer çdo rekord shikueshmërie.

E teksa “BBV” është drejt fundit, të ftuara ditën e sotme ne “Pardon My French” ishin Sara dhe Lori Hoxha, në një intervistë ekskluzive për Top Albania Radio, ku veç “BBV” folën edhe për raportin e tyre me njëra-tjetrën dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes Hoxha. Të pyetura se cila prej tyre është e preferuara e mamit, Redias dhe Itanit, përgjigjen na e jep Sara Hoxha.

E mamit është Lori, besoj si fëmija i parë. I Redias jam unë. I Itanit është Redia.

Një pjesë që vlen për t’u theksuar gjatë intervistës, ishte teksa folën për dikë shumë të shtrenjtë për to, pikërisht për babanë e tyre, që gjithashtu është një personalitet dhe figurë shumë e rëndësishme, që ka dhënë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në median kombëtare, pikërisht për të ndjerin Dritan Hoxha.

Lori ka vizionin e babait. (Sara)

Unë ndoshta jam më guximtare. Unë i hedh hapat më të pasigurt. Marr më shumë rrezikun, por Sara ka gjakftohtësinë dhe intuitën. Sara është e ftohtë dhe di të bëjë një analizë shumë të mirë. Babi im ka lënë nga një copë të vetes te çdo njeri që ka takuar, por edhe te ne. Vizioni i tij është i shpërndarë në katër. (Lori)

Një person i rëndësishëm dhe i pazëvëndësueshëm për motrat Hoxha, është edhe mamaja e tyre znj. Vjollca Hoxha. E njohur për forcën, qëndrueshmërinë, punën e palodhur dhe vullnetin për të çuar përpara Top Channel, Lori dhe Sara shprehen për mamanë e tyre.

Forcën dhe vendosmërinë e kam unë. (Sara)

Unë jam shumë e vendosur në punë. Di ta dalloj se çfarë dua në punë. Edhe mami ka ndikuar te ne. Mami im është shumë e ndjeshme, përveç vendosmërisë, ka edhe ndjeshmërinë për të qenë njerëz të drejtë. (Lori)