Aktualitet

Në një vit, koronavirusi ka prekur afro 4 mijë fëmijë në Shqipëri!

Në një vit pandemi, në vendin tonë janë prekur rreth 4.000 fëmijë nga koronavirusi, 178 prej të cilëve u shtruan në Repartin COVID  në Shërbimin e Pediatrisë Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Por rastet te grupmosha 0-1/vjeç kanë qenë shumë më të pakta.

Shefja e Pediatrisë Infektive, Prof.Gjeorgjina Kuli:

Fëmijët janë shumë më “të përgatitur” ndaj imunitetit të lindur e më pak ndaj atij adaptiv dhe të fituar. Gjithashtu kanë numër më të madh të qelizave vrasëse natyrore, “natural killer” e po ashtu të leukociteve, që luajnë rol të rëndësishëm.

Por fëmijët e vegjël preken nga shumë infeksione sidomos të traktit respirator, nga viruse të tjerë viralë dhe sipas Kulit “bëjnë një konkurrencë qoftë për portat e hyrjes në organizëm, qoftë për receptorët”.

Vaksinat e kalendarit të detyrueshëm sidomos e fruthit, por edhe ato me virus të gjallë, profilaksia e Vitaminës D, ku të gjithë fëmijët janë përfshirë, iu ka krijuar një mbrojtje ndaj COVID-19/ës. Megjithatë preken nga koronaviruse të grupeve të tjera.

Duke pasur mundësi që të bien në kontakt me këto viruse të tjera të grupit korona, ata kanë sintetizuar disa antitrupa, nuk janë 100% neutralizuese ndaj SARS-CoV-2 por luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen ndaj këtij infeksioni.

Siç është bërë e ditur, vaksinat anti-koronavirus të kompanive amerikane “Pfizer” e “Moderna” po testohen te fëmijët nën 12-vjeç, që të mund të vaksinohen ndaj COVID-19/ës dhe mutacioneve.