Aktualitet

Në pritje të grevës së urisë, pedagogët: Futemi, nëse marrim garanci për jetën!

Sindikata e pedagogëve është në pritje të nisjes së grevës së urisë, për plotësimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagës dhe cilësisë së arsimit.

Në një deklaratë për mediat, ata kërkuan garanci për jetën nga faktorët ndërkombëtarë dhe nga institucionet shtetërore.

“Nëse marrim një përgjigje jemi 30 pedagogë që futemi në grevë. Në pamundësi të marrjes së një përgjigje nga qeveria, Sindikata i drejtohet presidentit dhe institucuioneve të rendit për garantimin e jetës së pedagogëve që do të hyjnë në grevë urie dhe familjarëve të tyre. Ne jemi këtu për mbrojtjen e arsimit dhe vlerës njerëzore. Besojmë shumë se është çështje që i takon të gjithëve”, tha kreu i Sindikatës, Aleksandër Kovaçi.

Bojkotin e përditshëm, që prej nisjes se vitit të ri akademik në muajin tetor, pedagogët kanë vendosur ta përshkallëzojnë. Prej dy ditësh, Sindikata ka deklaruar se ka iniciativën e disa pedagogëve për tu futur në një grevë ngujimi simbolike, të cilët do të jenë nga universitete të ndryshme, si ai politeknik, i arteve apo Tiranes.

Ora 16:00 e kësaj të mërkure ishte përfundimi i afatit të vendosur nga sindikata e punonjësve të universiteteve shqiptare ndaj qeverisë për të përmbushur kërkesat e tyre që konsistojnë në rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve.

Bojkoti i mësimit nga sindikata ka qenë i përçarë, pasi jo të gjithë pedagogët u janë bashkuar. Ndërsa një pjesë qëndroni jashtë fakulteteve, pjesa tjetër ka vijuar me mësimin normalisht.