Aktualitet

Në pritje të rezultateve… urime, puthje e përqafime me kundërshtarin!

Në Partinë Socialiste ka shpërthyer festa! Edhe pse numërimi i votave nuk ka përfunduar ende zyrtarisht, disa kandidatë kanë arritur që të cekin finishin, pas një gare të lodhshme dhe sfilitëse që ka qenë ajo për gjithsecilin. Festa e socialistëve ka një emërues të përbashkët, puthje, përqafime dhe shumë duartrokitje nga të pranishmit në KZAZ.

Në Vlorë, ishte për t’u vlerësuar përqafimi i ministres Anila Denaj me rivalen e saj, Ina Zhupa, një gjest qytetarie që i ka munguar zgjedhjeve në Shqipëri. Nga ana tjetër, festa e Bledi Çuçit merrte më shumë vlerë, pasi ai ishte pozicionuar në një vend jo shumë komod, e pikërisht pas sigurimit të një mandati, festa ishte krejtësisht e merituar.

Ndërkohë kandidati për deputet në Partinë Socialiste, Pandeli Majko ka uruar publikisht rivalen e tij, kandidaten për deputete të PD-së Ori Nebiaj që ajo të jetë në parlament. Ky urim ndodhi nga KZAZ NR. 35 teksa po prisin rezultatin e numërimit të votave

Pandeli Majko: Po ndjekim rezultatin jemi të qetë, po presim që të hapen kutitë e votimit. E dimë që do të mbarojmë të fundit në Tiranë. Ori si ke qenë? Ori është kandidatja e PD goca më e mirë, që shpresoj që të jetë në parlament!

Ori Nebiaj: Feleminderit! PD-ja ka pasur një rikuperim fantastik të votës së djathtë. Shpresoj pasi janë ende dhe votat e kandidatëve për t’u numëruar. Nuk kam asnjë lloj mërzitje do të doja të fitonte Shqipëria.

Këto zgjedhje, përveç se do të shkruhen në historinë e Shqipërisë për shkak se është hera e parë që një parti ka arritur të marrë 3 mandate radhazi, më konkretisht PS-ja me kryeministrin Edi Rama, gjithashtu konfirmuan se strategjia e këtij të fundit e përdorur, ishte e duhura. Vendosja e drejtuesve të qarqeve në kufi të listës i solli atij një fitore që përkonte praktikisht me objektivat e tij.