Aktualitet

Në Prokurori për 8 janarin, sot radha e Bashës e Bardhit!

Për ngjarjet e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike, në protestën e thirrur më 8 janar, pas Sali Berishës si organizator i saj, sot merren në pyetje Lulzim Basha e Gazment Bardhi. Kryetarit demokrat i është kërkuar të paraqitet për të dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës në orën 11:00, ndërsa Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, 60 minuta më pas.

Një ditë më parë, në organin e akuzës së kryeqytetit ishin Sali Berisha e Flamur Noka. Ish-kryeministri, i cili u mor në pyetje për më shumë se dy orë, gazetarëve iu tregoi detaje nga komunikimi me hetuesit dhe përsëriti se “revolucioni vazhdon”, “ndërtesa do të merret” e se “protesta e të shtunës ishte paqësore”.

Berisha komentoi edhe deklaratat e zv.Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Europën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, i cili të mërkurën i tha Zërit të Amerikës se “qëndrimi amerikan për Berishën është i qartë” dhe iu bëri thirrje autoriteteve “të ndjekin penalisht, çdo person të përfshirë në dhunë politike”. Escobar dënoi dhunën e fundjavës së kaluar në Partinë Demokratike të Shqipërisë e theksoi:

Dhuna, nuk mund të jetë mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike!

Por, për ish-shefin e Qeverisë, “kush mendon se po mbron Bashën duke goditur atë, e ka gabim!”.

E ftoj zotin Escobar të dërgojë pranë organeve përkatëse dokumentet që provojnë akuzat për korrupsion. Po ashtu e ftoj të rishikojë qëndrimin për të mbështetur Lulzim Bashën, sepse kjo është e gabuar!

Po dje, Sali Berisha njoftoi rinisjen e takimeve me qytetarët, duke filluar të dielën në Shkodër.

Partia Demokratike reagoi për komentet e ish-kryetarit, duke e cilësuar “mashtrues kronik për ngjarje që u panë botërisht. Gënjeu përsëri mbi dhunën e planifikuar dhe urdhëruar prej tij”.

Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime mbi ngjarjet e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike më 8 janar. U ndaluan mbi 30 persona, 5 nga të cilët janë në “Arrest shtëpie” dhe për pjesën më të madhe u dha “Detyrim për paraqitje”. Ndërkaq, Gazment Bardhi e Flamur Noka u përfshinë që ditën e parë në listën e personave, ndaj të cilëve nisi procedim penal nga Prokuroria.