Aktualitet

Në rritje numri i pushuesve nga Lindja e Largët në vendin tonë!

Duket se gjatë këtij sezoni veror turistët më të shumtë në numër kanë qenë nga Lindja e Largët dhe Egjipti, siç raportojnë operatorët turistikë. Kjo ka ardhur si pasojë e heqjes së vizave, vendosjes së linjave të drejtpërdrejta ajrore si dhe lëshimit të kufizimeve të Covid.

Ndërkohë, në një intervistë një turist nga Arabia Saudite i cili ndodhej në rrugët e Tiranës është shprehur se si po i kalon këto pushime në vendin tonë, dhe si i duket Shqipëria.

Vij nga Arabia Saudite. Unë do rri 10 ditë këtu dhe shpresoj të rikthehem sërish pas një muaji. Shqipëria është mjaft e bukur, sidomos njerëzit janë shumë miqësorë. Më ka bërë shumë përshtypje fakti që këtu janë të gjithë pa maska, korona nuk ekziston.

Ai gjithashtu u ndal tek mirëpritja e popullit shqiptar dhe tek ushqimet që i kanë pëlqyer më tepër gjatë vaktit të mëngjesit.

Jam nga Egjipti dhe ndodhem prej 7 ditësh në Shqipëri. Ushqimi i mëngjesit në vendin tuaj është fantastik, më lejo ta komplimentoj. Gjithashtu edhe njerëzit janë shumë miqësorë. Të jeni të sigurtë që do t’i them të gjithë shokëve të mi të vijnë në Shqipëri. Jeni i vetmi vend në Europë pa kufizime.

Një tjetër udhëtar gjithashtu u shpreh për Shqipërinë, teksa tregoi edhe një histori.

Unë jam nga Stambolli. E di ca më ka ndodhur dje. Ne hotelin e kemi në periferi të Tiranës dhe donim që mbrëmë të vinim në qendër, por na thanë se nuk lejohet lëvizja pas orës 12 të darkës. Në lagjen e hotelit tonë dëgjojmë një aheng të madh nga komshinjtë dhe afrohemi mos ishte ndonjë klub. Në fakt aty po hidheshin vallet e fisit të dhëndrit sepse të nesërmen ishte dasma. Na ftuan dhe ne në valle, na qerasën dhe na e shtruan tavolinën plot. Ishte e mrekullueshme ajo mikpritje, nuk e kam përjetuar kurrë më përpara. Ka plot vende të bukura, por Shqipëria ka prekur zemrën time.

Duket se numri i turistëve është mjaft i madh në vendin tonë e aq më tepër nga Lindja e Largët. Ndërkohë kujtojmë se numri i lartë i turistëve ka shkaktuar një fluks në disa akse rrugore të caktuara, dhe si pasojë Policia Rrugore ka vendosur të shtojë masat gjatë fundjavës si dhe ka bërë thirrje të tregohet një kujdes i veçantë me zbatimit e rregullave të qarkullimit rrugor.