Rajoni

Në Shkup zhvillohet “Parada e Krenarisë”!

Në Shkup sot zhvillohet “Parada e Krenarisë”, organizuar nga Rrjeti Kombëtar kundër Homofobisë e Transfobisë. Eshtë hera e dytë që mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut nga Komuniteti i Lesbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve e Transgjinorëve (LGBT+). Në një deklaratë të organizatorëve, theksohet:

Kjo është një ngjarje nga LGBT+ e për të, si dhe për të gjithë mbështetësit e luftës për trajtim të barabartë të njerëzve. Krenaria është protestë e gjithashtu festë, në të cilën ne rikonfirmojmë shpresat për një shoqëri më solidare, më njerëzore e më të drejtë!

Për shkak të “Paradës së Krenarisë” janë marrë masa për devijimin e trafikut në Shkup, si dhe është shtuar prania policore, për të shmangur incidentet e mundshme. LGBT+ ka marrë edhe mbështetjen e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.

Komuniteti ka mbështetjen e Qeverisë lidhur me kauzën për barazi që dëshmohet me manifestimin e lirshëm në shoqërinë tonë ku të gjithë janë të barabartë. Unë ndaj mendimin se askush nuk është i lirë derisa të gjithë të jenë të lirë sepse angazhimi ynë: “Një shoqëri për të gjithë” do të realizohet plotësisht kur të dëgjohet çdo zë dhe më e rëndësishmja, të pranohet nga gjithë të tjerët.

Ne po tregojmë sjellje europiane e solidaritet në mes të Ballkanit. Ky është Ballkani ynë i ri, i lirë, njerëzor dhe i larmishëm!

Zaev apelon për punë të përbashkët “Për të shembur muret e për të krijuar një botë të re dhe më të mirë për të gjithë ne!”. Këngëtarja e njohur Tuna do t’i bashkohet “Paradës së Krenarisë”.