Aktualitet

Në Shqipëri vazhdojnë të vijnë vaksina anti-COVID por korriku u mbyll me shifra të larta infektimesh!

Mbi 50 mijë vaksina Pfizer kundër COVID-it vijnë sot në vendin tonë duke e çuar totalin e dozave në më shumë se 1.7 milionë. Lajmin e bëri të ditur nga Saranda ku vizitoi qendrën e re shëndetësore, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Por autoritetet kanë një shqetësim e kërkojnë të mos shmangen vaksinimet. Një thirrje që në mënyrë të veçantë iu drejtohet të rinjve, aq më tepër që në territorin shqiptar është konfirmuar varianti Delta i koronavirusit, i njohur për shpejtësinë e transmetimit.

Në kuadër të përpjekjeve për një mbulim më të mirë me vaksina, gushti u caktua si muaji i vaksinimit masiv në të gjithë territorin e qëllimi është të vaksinohen moshat mbi 18-vjeç, në fashën orare 08:00-20:00.

Deri tani, në Shqipëri janë kryer 1,203,087 vaksinime anti-COVID. Mbi 530.000 qytetarë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Ndërsa kudo në botë, shtetet po rikthejnë kufizimet për shkak të pranisë së variantit Delta, autoritetet shqiptare janë të mendimit se situata është nën kontroll dhe nuk ka arsye që për momentin të marrin masa shtesë. Megjithatë mbetet i pashpjegueshëm fakti se përse në kufijtë e vendit nuk ushtrohet asnjë kontroll dhe nuk i kërkohet asnjë vizitori të tregojë nëse ka certifikatë vaksinimi apo test të kryer në 2-3 ditët e fundit siç veprohet në kufijtë e shteteve europiane, edhe në ato që kanë mbulim vaksinal më të lartë se Shqipëria.

Në Shqipëri, muaji korrik shënoi një kthesë negative të ecurisë së pandemisë COVID-19. Përveç viktimave, vetëm një, shifrat e tjera pësuan përkeqësim krahasuar me qershorin kur ishin në kuotat më të ulta. Në korrik u konfirmuan dhe rastet e para të variantit Delta, ndonëse një pjesë e mirë e mostrave të dërguara në një laborator të specializuar në Gjermani i përkisnin muajit qershor.

Megjithatë autoritetet e kanë pranuar se ky variant qarkullon gjerësisht. Në total gjatë muajit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, u regjistruan 598 infektime të reja, me një mesatare prej 19.2 rastesh në ditë. Ndonëse në vlerë absolute shifrat nuk janë në nivele shqetësuese, krahasuar me qershorin, kur u verifikuan vetëm 186 raste, rritja është e ndjeshme, më shumë se trefishi, aq më tepër kur numri i testimeve u rrit vetëm 10%.