Bota

Në Turqi të komentosh kundër Erdoğan, arrestohesh, pranga për gazetaren Sedef Kabaş!

Arrestohet gazetarja turke Sedef Kabaş, vetëm pse në televizionin turk Tele 1 dha këtë koment:

Ekziston një proverbë e famshme që thotë: “Një kokë me përkrenare mbretërore bëhet më e mençur”. Por unë e gjej atë të pavërtetë dhe them: Një buall nuk kthehet në mbret thjesht sepse hyn në pallat, pasi prej tij pallati kthehet në një stallë!

Policia e ndaloi Kabaş-in rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe fillimisht e çoi në stacionin kryesor të policisë së Stambollit, përpara se ta transferonte në gjykatë, ku një gjykatës e njohu me masën e arrestimit për fyerjen e supozuar që ishte në formën e një proverbi.

Ndërkohë, në një reagim zyrtar në Twitter, Kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, Fahrettin Altun deklaroi:

Nderi i zyrës së Presidencës është nderi i vendit tonë… Dënoj fyerjet vulgare të bëra ndaj presidentit tonë dhe zyrës së tij!

Merdan Yanardag, kryeredaktor i kanalit Tele 1, në të cilin Kabaş bëri komentin, kritikoi ashpër arrestimin e saj.

Të arrestohesh për një proverb është e papranueshme! Ky qëndrim është një përpjekje për të frikësuar gazetarët, mediat dhe shoqërinë!

Në Turqi ekziston një ligj për fyerjen e presidentit, nga i cili rrezikon të dënohesh nga 1 deri në 4 vjet burg. Tetorin e kaluar, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje Ankarasë të ndryshojë legjislacionin që e konsideron diskriminues dhe shkelje të të drejtave e lirive të njeriut.

Mijëra persona janë akuzuar e dënuar për veprën penale të fyerjes së Erdoğanit në 7 vite, që kur ai kaloi nga kryeministër në president. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, “nga 2014-ta, viti kur Erdoğan u bë president, janë nisur 160.169 hetime për fyerje ndaj presidentit, u ngritën 35.507 raste dhe u dënuan 12.881 persona”.