Aktualitet

Negociatat për presidentin në pikën zero, Alibeaj: Socialistët shkelën marrëveshjen!

Negociatat mes PS e PD për Presidentin e ri të Republikës duket se janë kthyer në pikën zero.

Enkelejd Alibeaj, njoftoi pak caste më parë, anulimin e mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, ku do të diskutoheshin kandidaturat për president të Republikës, ndërsa akuzon socialistët për ndryshim të qëndrimit.

Ky vendim vjen pas ndryshimit të qëndrimit të PS lidhur me procesin e zgjedhjes se presidentit, ku kërkon vetëm një emër nga opozita. Dje, 26 deputetët e pranishëm propozuan 8 emra, nga të cilët do të përzgjidheshin 4 për t’iu paraqitur më pas Socialistëve.

“Përshëndetje! Pas ndryshimit të qëndrimit të PS lidhur me procesin e zgjedhjes se Presidentit, mbledhja e sotme e grupit nuk do të zhvillohet! Ju faleminderit!”, thuhet në mesazhin e sekretarit të grupit parlamentar, Arbi Agalliu që njofton anulimin e mbledhjes.

Alibeaj, ka akuzuar Partinë Socialiste se ka prishur konsensusin e arritur mes palëve për Presidentin, duke iu referuar një deklaratë të Taulant Ballës që ka thënë se PD duhet ta propozojë kandidatin me firmat e saj.

“Veprimet, aktet tona janë bërë në sy të publikut. Ne e filluam këtë proces për të krijuar një proces për zgjedhjen e presidentit të shqiptareve, një figurë mbi palët, neutrale, proces gjithëpërfshirës. Ju tashmë jeni dëshmitarë që përmblidhte një sërë kriteresh dhe një procedurë që të ti jepte jetë konensualitetit mes palëve. Opozita do të ecte në një proces publik të identifikimit të përzgjedhjes së 4 kandidaturave. Ne kemi pasur dje një mbledhje që do të vazhdonte edhe sot. Nuk e di pse arsyeja ka qenë pikërisht cilësia e kandidatëve dhe sot ka pasur një tërheqje nga ana e Partisë Socialiste, edhe nga kontaktet që kanë pasur. Ne do të identifikonim 4 kandidatura, PS do të zgjidhte 2 dhe më pas do të zgjidhej një kandidaturë konsensuale dhe akti i fundit do të ishte që ‘një komision i përbërë nga 6 anëtarë të shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej tyre’. Dhe kandidatura më pas i nënshtrohet më pas votimit në seancë plenare. Pra, propozimin e përbashkët. Kjo do të ishte si shenjë e fortë energjike që nuk do të kishte lojëra apo shmangie. Por PS ka thënë tashmë që kandidatura duhet të ketë vetëm firmat e PD-së”

Gjatë prononcimit të tij për media Alibeaj tha se Rama u tërhoq nga marrëveshja kur pa kandidatët e opozitës. Kjo pasi siç theksoi Alibeaj kryeministri kuptoi se nuk mund të joshte asnjë prej tyre.

“Duhet të kujtojmë që kjo tërheqje nga nënshkrimi është mospranimi i konsensulitetit të procesit. Ne e kemi ditur që në fillim që PS i ka 74 vota, por nuk ka legjitimitetin real. Votat e  Tom Doshit “non grata”, nuk kanë legjitimitet.  Ne u nisëm nga ideja për të krijuar një proces konsensual dhe për të dhënë një president të shqiptarëve dhe vetëm një proces e tillë do të mund ta garantojë.  Kërkova që edhe takimet të bëheshin me media, sepse doja që gjithçka të dihej nga publiku, që të kuptonin kush janë ata që zbatojnë kushtetutën. U tregua realiteti dhe qëndrimi i palës tjetër, nuk kisha fare dyshim.

Një nga shkaqet është cilësia e kandidatëve tanë, mund të jemi anatemuar me kandidatë të kapur peng, por nuk janë . Edi Rama kur pa që njëra prej tyre mund të ishte presidenti i republikës dhe pa që s’kishte asnjë shans për ta joshur, për ta vjedhur, e anuloi.  Kemi firmën për dy, jo vetëm për një! Ky proces duhet bërë që produkti të ishte konsensual, siç e do edhe kushtetuta.”, tha ai.