Aktualitet Politikë

Negociatat për zgjedhjen e presidentit vijojnë sot!

Negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, vijojnë sot në orën 10:00, në prani të kamerave. Kërkesën e bëri opozita, dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Taulant Balla ftoi Enkelejd Alibeajn dhe opozitën, të propozojnë një emër, nëse i kanë 20 firma. Kryetari i grupit socialist tha se “maxhoranca pret gatishmëri nga opozita, për të vijuar me procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit”.

Balla tha se kryeministri Rama nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe dhe se PS është e gatshme për konsensus.

Edi Rama nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe, por ka cituar nenin përkatës të Kushtetutës. Kushtetuta është përmirësuar me një mekanizëm zhbllokues, ky proces e kemi thënë kryhet në tre raundet e para, në raundin e katërt Kushtetuta i jep të drejtën shumicës. Kryeministri ka thënë që Shqipëria ka nevojë për president të gjithë shqiptarëve.

Por, Alibeaj shprehet se për çështjen e presidentit, “transparenca është ilaçi kundër pazareve”, ndërsa ftoi gazetarët që sot të jenë të pranishëm për të mësuar qëndrimin e opozitës lidhur me çështjen.

Unë kam durimin që t’i diskutojmë të gjitha hap pas hapi, e kuptoj shpejtësinë që do Balla, por besoj që Kushtetuta thotë një gjë, që për tre raundet e para duhet shumicë e cilësuar.

Konferenca e Kryetarëve vendosi dje që raundi i dytë i votimit në Kuvend për zgjedhjen e presidentit, të zhvillohet të hënën e ardhshme, në datë 23 maj, ora 18:00.  Por kujtojmë se fillimjavën e ardhshme në orën 10:00, fillimisht kandidaturat për postin e kreut të shtetit do të shqyrtohen nga Komisioni parlamentar i Ligjeve. Mbledhja e komisionit i paraprin seancës së votimit.

Kreu i grupit socialist, Taulant Balla i bëri ftesë zyrtare opozitës, të negociojnë, që palët të dalin me një emër për ditën e hënë, me synimin që të mos digjet edhe raundi i dytë.  Në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu dha një qëndrim të prerë duke i kërkuar opozitës që pavarësisht sjelljes së maxhorancës të japë një emër për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën të braktisë procesin.