Aktualitet

Nën kontroll zjarri në fushën e mbetjeve Fier, fund problematikës!

Plotësisht nën kontroll zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Fier. Kryebashkiaku Armando Subashi konfirmoi shuarjen e tij, eliminimin e tymit dhe kapsulimin e fushës duke i dhënë përgjithmonë fund problematikës.

Përfundimisht mund t’ju komunikoj se e gjithë fusha e mbetjeve prej 70-80 mijë metrash katror është në kontroll të plotë. Sot nuk ka as flakë, tymi është në kontroll të plotë. Planifikonim ta mbyllnim këtë fushë nga fundi i muajit gusht por ngjarja i shpejtoi gjërat.

Sot kemi lajme të mira: fusha nuk përbën më asnjë rrezik dhe nuk çliron asnjë tym të dëmshëm. Do të vijojmë me hedhjen e shtresave të dheut!

Këto muaj do të punohet për mbjelljen e pemëve. Sipas një llogarie do të mbillen 5000-7000 pemë në të gjithë këtë fushë për ta kthyer në ambient kreativ.

Nga nesër pasdite, mbetjet e qytetit dhe njësive do të shkojnë pranë inceneratorit për t’u trajtuar.

Këto ditë kemi qenë në bisedime intensive edhe me koncesionarin e ndoshta nesër pasdite, të gjitha mbetjet që krijohen në Bashkinë e Fierit do të transferohen në incenerator. Ai do të vërë disa mjete në dispozicion derisa Bashkia të përfundojë procedurat që kemi nisur qoftë për rrugën, qoftë për stacionin e transferimit të mbetjeve.

Sipas marrëveshjes, thjesht do të përgjigjemi për largimin e mbetjeve këtu, pastaj e gjithë pjesa tjetër i takon koncesionarit. Përfundimisht në të gjithë këtë zonë, nga nesër e tutje nuk do të depozitohet asnjë mbetje. Këtu kemi krijuar vetëm një stacion provizor dhe do të shkojë në drejtim të inceneratorit. Këtu mbetjet mund të rrinë shumë pak minuta.