Bota

Nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja për të lejuar eksportet e grurit nga Deti i Zi. Guterres: Fener shprese!

Është nënshkruar ditën e sotme marrëveshja për lejimin e transportit të grurit nga Deti i Zi, ku portet e Odesës, Chernomorsk dhe Yuzhny do të jenë pjesë e saj. Bllokada ruse do të lejojë kalimin e burimit, në mënyre për të lehtësuar krizën globale të ushqimit.

Ukrainën e ka përfaqësuar ministri i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, ndërsa Rusinë, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar disa burime të kenë thënë se do të rihapen tri porte ukrainase, duke përfshirë portin me të madh shtetëror të Odesas.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur njoftimet për marrëveshje, mirëpo Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se do të fokusohet në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për zbatim të saj.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është shprehur ditën e sotme se marrëveshja e nënshkruar për lehtësimin e eksportit të grurit do të lehtësojë rreziqet e urisë për miliarda njerëz.

 “Miliona njerëz do të çlirohen nga ky rrezik i urisë. Në ditët në vijim, do të shohim fillimin e trafikut të anijeve dhe shumë vende do të kenë një frymë të pastër. Kjo do të kontribuojë në të gjithë procesin nga eksporti në mbërritjen në destinacion dhe në të gjitha pikat kemi arritur një marrëveshje”, tha Erdogan.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shpreh arrëveshja e nënshkruar nga Rusia, Ukraina, OKB-ja dhe Turqia është një “fener shprese” në luftë.

Marrëveshja, të cilën përfaqësuesit nga të gjitha palët sapo e kanë nënshkruar në Stamboll, do të thotë se Rusia pranon një armëpushim për të lejuar eksportet e grurit.

Turqia do të inspektojë anijet për t’u siguruar që ato nuk mbajnë armë.
Është konsideruar si një fitore diplomatike në luftë, e cila tani po hyn në muajin e saj të gjashtë.

Por Guterres shtoi se marrëveshja “nuk erdhi lehtë… ka qenë një rrugë e gjatë”.