Bota

Nepal, zhduket avioni privat me 22 persona!

Një avion privat me 22 persona në bord, mes tyre shtetas indianë është zhdukur në një zonë malore të Nepalit. Mjeti fluturues “Otter 9N-AET”, i linjës “Tara Air” u ngrit nga qyteti Pokhara e po drejtohej për në Jomsom.

Fanindra Mani Pokharel, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme, konfirmoi se ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi.

Në avionin që humbi kontaktet sot në mëngjes pasi u ngrit në fluturim, ishin 19 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.

Prej disa ditësh, në zonë ka reshje shiu, por moti i keq nuk përbën problem dhe fluturimet kanë vazhduar normalisht. Kjo pjesë e Nepalit frekuentohet rregullisht nga ekskursionistë të huaj, të cilët ngjiten nëpër shtigjet e malit edhe me pelegrinë nga India e Nepali, që vizitojnë tempullin Muktinath.