Bota

Nervozohet Erdogan, “përzë’ nga Turqia 10 diplomatë të huaj!

Ankaraja nuk e priti mirë kërkesën e ndërkombëtarëve për lirimin e një lideri të shoqërisë civile, ndaj pasi ka thirrur për shpjegime ambasadorët e 10 vendeve perëndimore, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, ka vendosur t’i shpallë “Persona non grata”.

Do të shpallen si persona të padëshiruar 10 ambasadorët perëndimorë në Turqi, të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Kanadasë, Finlandës, Danimarkës, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Suedisë. Lajmin e ka bërë me dije vetë presidenti turk Erdogan.

Ata kishin nënshkruar apelin për lirimin e filantropistit anti-Erdogan Osman Kavala, i arrestuar prej mbi 4 vitesh. Filantropi dhe aktivisti i lindur në Paris, Osman Kavala, 64 vjeç, po mbahet në paraburgim që nga viti 2017 dhe rasti i tij është kthyer në një tjetër arsye për tensione mes Turqisë dhe Perëndimit.

Kavala përballet me një sërë akuzash të lidhura me protestat anti-qeveritare të vitit 2013 dhe një grusht shteti të dështuar ushtarak në vitin 2016, të cilat ai vetë i mohon me forcë.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe disa qeveri perëndimore e konsiderojnë ndalimin e tij si një simbol të shtypjes që presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan i bën kundërshtarëve.

Përmes deklaratës që acaroi Ankaranë, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Suedia dhe SHBA-ja bënë thirrje për një “zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së tij”.