Aktualitet

Nesër “çunat e Londrës” zbarkojnë në Kukës; nis punën “Zayed, Flatrat e Veriut”

Me vijëzimin e pistës që mbaron sot, Aeroporti i Kukësit “Zayed, Flatrat e Veriut” bëhet gati dhe nesër pret udhëtarët e parë. Nga Londra ulet në Kukës avioni i parë, i mbushur kryesisht me emigrantë shqiptarë nga kjo zonë në Britaninë e Madhe.

Gjatë inspektimit të detajevee të fundit, Ministrja e Infrastrukturës tha se siç ishte premtuar “çunat nga Londra” do t’i presë Kryeministri.

Belinda Balluku pohoi se nga aeroporti, e gjithë zona do të ketë përfitim të madh ekonomik.

Ky do jetë aeroporti i shqiptarëve , i ndërtuar mbi bazën e konceptit për t’u shërbyer të gjithëve. Edhe çmime kompetitive. Si çdo projekt i madh përfitimet janë të mëdha, punësimet, injektimi nga kargot, numri i pasagjerëve që do rriten, numri i turistëve gjithashtu. Do kemi një element të ri të zhvillimit. Të punësuarit do jenë nga Kukësi, përveç atyre punësimeve që kërkojnë përgatitje specifike.

Destinacionet e para ku do të operojë Aeroporti i Kukësit përveç Londrës, do të jenë me disa qytete të Zvicrës, Gjermanisë por edhe Italisë.

Pas nisjes së fluturimeve te ‘Zayed, Flatrat e Veriut’, Ministrja Balluku bëri me dije se e gjithë vëmendje e dikasterit që ajo drejton do të zhvendoset për në Vlorë, për aeroportin në qytetin bregdetar.

Zyrtarisht në datë 20 prill pritet të firmoset kontrata me kompaninë koncensionare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.