Aktualitet Politikë

Nesër Kuvendi i Rithemelimit, përgatitjet drejt fundit!

Komisioni i Rithemelimit publikoi sot listën e kandidatëve që do të përbëjë Këshillin e ri Kombëtar të PD, e që do të votohen nesër në Kuvendin Kombëtar.

Në listën me 420 kandidatë, Sali Berisha ka rikthyer figura të vjetra të PD, ish deputetë apo ish ministra mes të cilëve:

Alban Zeneli (Ish-deputet)
Albina Deda (Ish-deputet)
Ardjan Turku (Ish-deputet)
Asllan Dogjani (Ish-deputet)
Bedri Hoxha (Ish-deputet)
Eleina Qirici (Ish-deputet)
Florion Mima (Ish-deputet)
Myqerem Tafaj (Ish-minister)
Rudina Hajdari (Ish-deputete)
Alban Zeneli (ish deputet)
Albina Deda (ish deputet)
Aldo Bumci (ish deputet)
Myslim Murrizi (ish deputet)
Spiro Ksera ( ish Ministër)
Isa Sakja ( ish kryebashkiak)
Agron Kuliçaj (ish-anetar i KK)

Mes politikanëve, në garë për një vend në Këshillin e ri Kombëtar, është edhe mjeku i njohur infeksionist Ilir Alimehmeti, por nuk mungojnë as figura të njohura të spektaklit e artit, si Bleona Qerreti, Renis Gjoka, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Fjoralba Dizdari, aktivistja Adriana Kalaja.

Në rrugën e baballarëve në listë janë gjithashtu Andi Mustafaj , djali i Besnik Mustafaj si edhe Glauk Olldashi, djali i Sokol Olldashit. Mes 420 emra bie në sy edhe Floriana Garo, Drejtore Komunikimi PD si dhe ish-zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.

Kuvendi i 30 dhejtorit do të ketë 1100 delegatë të sapozgjedhur nga proceset që Berisha organizoi në bazë edhe për kryetarët e degëve. Me shpresën për të dhënë sinjale bashkimi, Berisha do të ftojë në Kuvend ish-bashkëpunëtorët, Arben Imami e Jozefina Topalli, dhe të larguarit e fundit nga PD, si Rudina Hajdari e Myslym Murrizi.  Në Kuvendin e PD-së, Sali Berisha ka ftuar që të marrin pjesë të gjithë deputetët, përfshirë këtu edhe ato që janë konsideruar si besnikë të Lulzim Bashës.

1100 delegatët do të votojnë për 150 emrat e anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ri Kombëtar. Këtyre të fundit do t’u propozohet 22 maji si datë për zgjedhjen e kreut të ri të PD, që vetë Berisha nuk e ka fshehur në asnjë moment kandidimin. Kuvendit Kombëtar të shtunën do t’i mungojë një pjesë e rëndësishme e partisë, grupi parlamentar, pasi pjesa më e madhe e deputetëve kanë deklaruar se nuk do t’i bashkohen, pavarësisht ftesës së vetë Berishës.