Aktualitet Rajoni

Nesër mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri, axhenda/Kryeministri Rama viziton sot familjen e Hashim Thaçit!

Në Prishtinë, nesër zhvillohet mbledhja e 8-të e përbashkët e qeverive të Kosovës e Shqipërisë, nën drejtimin e kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama. Aty pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve, ndërsa sipas axhendës zyrtare, hapja e sesionit plenar të mbledhjes së 20 qershorit, bëhet në orën 11:15 minuta. Fillimisht, flasin Kurti e Rama dhe me pas, anëtarë të dy kabineteve, për të parashtruar çështje kryesore e marrëveshje për nënshkrim.

Axhenda zyrtare:

11.15 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë – Shqipëri
Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim

12.20 – Prezantimi nga z. Eric SMIT, Drejtor i “Royal Haskoning DHV”
Infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë.

12.30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare

12.45 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave

18.00 – Promovimi i librit “Përplasja e Madhe” e Enver Hoxhajt

Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.  Mbledhja e nesërme pason atë të nëntorit të kaluar në Elbasan e ku Tirana dhe Prishtina zyrtare sigluan 13 marrëveshje të reja.

Përveç pjesës zyrtare, pasditen e sotme, kryeministri Rama do të shkojë në fshatin Burojë të Skenderajt, për të vizituar familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë e ku me të tjerë ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohet për krime lufte e kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar “të pafajshëm”. Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë po trajton pretendimet për përfshirje të ish-luftëtarëve shqiptarë në të tilla krime, në vitet 1998-1999. Më 10 maj, kryeministri Rama ishte në Hagë për të vizituar Thaçin.