Sport

Nesër ndeshja me Hungarinë, Kombëtarja seancë stërvitore në “Puskás Aréna”

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit i dha dorën e fundit përgatitjeve në Durrës para nisjes për në Hungari, ku nesër do të luajë ndeshjen vendimtare në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Ekipi zhvilloi një seancë të fundit në Kompleksin “Tropikal” në Durrës, ku morën pjesë të gjithë lojtarët, me përjashtim të Bekim Balajt. Sulmuesi ishte i vetmi që nuk u stërvit me shokët, pasi vazhdon të jetë në kujdesin e stafit mjekësor për shkak të një problemi muskulor në kofshë.

Për më shumë se 60 minuta, trajneri Reja drejtoi seancën me lojtarët që kanë zhvilluar ushtrime fizike e taktike. Atmosfera në ekip përshkruhet si shumë e mirë dhe përqëndrimi në stërvitje, shumë i lartë, në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme.

Sot në mëngjes, Kombëtarja u nis drejt Hungarisë për të vijuar me seancën zyrtare stërvitore në stadiumin e ndeshjes, në “Puskás Aréna”. Para stërvitjes, si zakonisht trajneri dhe kapiteni do të dalin në konferencën zyrtare për media, ku do të flasin për sfidën me hungarezët. Ndërkaq, më 12 tetor, në Stadiumin “Air Albania”, Shqipëria do të presë Poloninë, momentalisht, rivalen direkt për vendin e dytë.