Aktualitet

Nesër ndryshon moti në vend, priten shira!

24 orët e ardhshme pritet një kthesë sa i përket kushteve atmosferike në vend por temperaturat do të mbeten të larta, nga 24 në 40 gradë celcius. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se nga nesër, gradualisht pritet depërtimi i masave ajrore të lagështa e më të freskëta, me origjinë veriperëndimore.

Në zonën e veriut dhe relievet kodrinore-malore në qendër parashikohen reshje shiu me intensitet të ulët e lokalisht shtrëngata afatshkurtra dhe stuhi, shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Njoftimi i SHMU-së:

Duke filluar nga dita e nesërme, gradualisht mbi vendin tonë pritet depërtimi i masave ajrore relativisht të paqëndrueshme, të lagështa dhe më të freskëta me origjinë veriperëndimore.

Moti do të jetë kryesisht i kthjellët por gradualisht duke nisur nga orët e mesditës deri ato të pasdites vonë do të ketë edhe alternime vranësirash hera-herës deri të dendura. Në zonën e veriut dhe relievet kodrinore-malore në qendër parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht shtrëngata afatshkurtër dhe stuhi shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era do të fryjë nga kuadrati i jugut mesatare 3-8m/s dhe hera-herës e fortë nga orët e mesditës deri ato të pasdites me shpejtësi 7-15m/s kryesisht në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare.

Temperaturat do të vijojnë të mbeten të larta në:

zonat malore 18°C deri në 35°C

zonat e ulëta 18°C deri në 40°C

zonat bregdetare 24°C deri në 39°C