Aktualitet

Nesër ndryshon ora, akrepat shkojnë 60 minuta pas, “fitojmë” më shumë gjumë!

E diela e fundit e muajit, data 31 tetor, shënon ndërrimin e akrepave të orës dhe zhvendosjen e tyre 60 minuta mbrapa. Ora diellore do të hyjë në fuqi natën mes të shtunës e të dielës. Ndryshimi do të ndodhë në 03:00 të mëngjesit, e automatikisht do të shënojë 02:00, çka nënkupton të fitojmë një orë më shumë gjumë, ndonëse errësohet më shpejt.

Ora e verës hyn në fuqi të dielën e fundit të marsit, me akrepat që shkojnë 60 minuta përpara ndërsa ajo dimërore, në të dielën e fundit të tetorit, që këtë vit përkon me datën 31, pra nesër.

Më parë, ndryshimi i orës nuk ka qenë i njëtrajtshëm në Europë, por filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën, në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit e të konsumonin më pak energji elektrike.

Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma europiane vendos në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora si tani, shkon 60 minuta pas) e tani, respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.