Celebrities Sport

Nesër organizohen Lojërat Olimpike, Luiza Gega rrëfen emocionet para garës

Kampionia e Ballkanit për sportin e atletikës Luiza Gega, e ftuar në ‘Wake Up’ ka rrëfyer emocionet dhe ka treguar për fazën përgatitore para eventit më të madh të sporteve në botë, Lojërat Olimpike. Një kampionat i tillë zhvillohet vetëm një herë në katë vite dhe vetëm një sportiste shumë e aftë si Luiza mund ta përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet në këtë sport.

Teksa Lojërat Olimpike këtë vit do të organizohen në kushte të tjera dhe masa të rrepta sigure nga pandemia, Gega tregoi se si po ecën faza përgatitore, pasi vetëm një ditë nga ndan nga gara e madhe.

Nuk ka kaluar as 24 orë nga bërja e tamponit, e bëjmë çdo ditë. Kishim një tranzit në Stamboll, u akomoduam në hotelin e aeroportit dhe gjeta mundësinë që të mos humbja stërvitjen, mos të humbasë dita pa stërvitje. Këtë gjë e bëj pasi nuk janë hapur ende ambientet për sportin e atletikës, pasi ne i fillojmë garat më vonë.

Në një kampionat sportesh kaq të madh sa ky i Lojërave Olimpike, Luiza ka treguar se i ka të pashmangshme emocionet.

Kam emocione, jo bllokuese normalisht, por është një aktivitet kaq i madh që të gjithë e ëndërrojnë dhe kemi vite që përgatitemi. Emocionet janë, pavarësisht eksperiencës ndër vite, prapë emocionet e garës duket se do i kem gjithë jetën. Uroj të realizojmë objektivat për të cilat lodhemi dhe punojmë çdo ditë.

Luiza, gjatë bisedës në studio në fakt u surprizua kur mori vesh se në fakt në këto Lojëra Shqipëria nuk do të jetë e para në ceremoninë e hapjes, sipas alfabetit anglez ‘Albania’, por do të renditet sipas alfabetit japonez dhe e para në radhë do të jetë Greqia.

Tani u zhgënjeva që e mora vesh. Më mirë të ishim të në vend të parë mbaronim punë më shpejtë. Jo në fakt, me të vërtetë ceremonia hapëse ka shumë emocion.

Masat e sigurisë këtë Lojëra Olimpike përfshijnë edhe një numër shumë të vogël ndjekësish të tyre, kjo gjë është shumë ndikuese tek sportistët, megjithatë Gega tregoi se është e përgatitur psikologjikisht për këtë.

Jemi mirënjohës që këto Lojëra po zhvillohen, pasi mund të ndodhte edhe më e keqja që të mos zhvilloheshin fare dhe kjo do të ishte një goditje. Psikologjikisht jam e përgatitur që jemi pa spektatorë.