Aktualitet

Nesër protesta, qytetarët: Masat e qeverisë të pamjaftueshme!

Organizatorët e protestave kundër rritjes së çmimive i kanë cilësuar si të pamjaftueshme masat e qeverisë për përballimin e krizës.

Një ditë para protestës së radhës ata kanë prezantuar kërkesat që lidhen me heqjen e taksës së qarkullimit dhe pezullimin e TVSH-së për produktet bazë të shportës. Si afat të fundit për plotësimin e tyre kanë lënë 19 marsin.

“Masat nuk janë të mjaftueshme për përballimin e krizës. Nuk ka garanci që çmimet do të jenë të ulëta në vazhdimësi. Paketa për njerëzit në nevojë është minimale. Kërkesat tona  mbështeten ne tre shtylla kryesore: Ulje e barrës Fiskale, Hetim dhe mbikëqyrje për mirëfunksionim te tregut dhe mbështetje per biznesin dhe shtresat vulnerabel”, thotë një nga organizatoret.

Të shtunën në orës 11:00 do të nisë marshimi nga sheshi Skënderbej drejt kryeministrisë, ku pritet pjesëmarrje e qytetarëve nga qytete të ndryshme. Në rast të mosplotësimit të kërkesave, organizatorët paralajmëruan  përshkallëzim të protestave.

“Do të ketë marshim nga Sheshi Skënderbej drejt kryeministrisë e më pas do të vendoset se si do të vijohet. Deri më tani qeveria ka reaguar, megjithatë duke e krahasuar me reagimin fillestar, shpresojmë që të reagojë më tej. Një nga skenarët është përshkallëzimi e ne këtë do të bëjmë. Protestat do të vijojnë pa ndërprerje“.

Prej disa ditësh në vend janë zhvilluar protesta kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe produkteve të shportës ndërsa qeveria ka prezantuar paketën e Rezistencës Sociale për të ndihmuar në përballimin e situatës.