Rajoni

Nesër zgjedhjet vendore në Kosovë, nis shpërndarja e materialit zgjedhor!

Një ditë para zgjedhjeve vendore në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shpërndan materialin zgjedhor, përfshirë fletët e votimit. 1 milion e 885 mijë e 448 persona me të drejtë vote janë thirrur të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë në 38 komuna.

Zgjedhjet më të fundit vendore në Kosovë, datojnë vitin 2017 e Lista Serbe ishte subjekti politik që fitoi në më shumë komuna, më saktësisht në 10 të tilla, mes tyre Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Zubin Potokun e Leposaviçin.

Pas Listës Serbe, vinte Lidhja Demokratike e Kosovës me 8 komuna të fituara: Fushë Kosovë, Gjilan, Istog, Lipjan, Pejë, Viti, Vushtrri e Podujevë.

Në vitin 2017, Aleanca për Ardhmërinë e Ramush Haradinajt fitoi në 7 komuna: Deçan, Gjakovë, Junik, Klinë, Obiliq, Rahovec e Suharekë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Partia Demokratike e Kosovës siguroi drejtimin e Dragashit, Gllogocit, Ferizajt, Kaçanikut e Shtimës.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje që tani është në pushtet fitoi Prishtinën, Prizrenin e Kamenicën. Por, më vonë kryetarët e Prishtinës e të Kamenicës, Shpend Ahmeti dhe Qëndron Kastrati u larguan nga partia e Albin Kurtit.

Nga një komunë për Nismën Socialdemokrate e Partinë Demokratike Turke, përkatësisht Malisheva dhe Mamusha. Hanin e Elezit e fitoi kandidati i pavarur, Refki Suma, ndërsa Skënderajn, kandidati tjetër i pavarur, Bekim Jashari.

Demokracia në Veprim, rrjeti i organizatave që merret me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, konstatoi se fushata elektorale ishte e qetë. Një pjesë e saj u zhvendos në rrjetet sociale për shkak të kufizimeve të pandemisë, por konstatoi se masat anti-COVID nuk u respektuan. Ndërkaq, Demokracia në Veprim përmendi mungesën e transparencës me fondet e ndara për fushatë.

Facebook dhe Instagram u shfrytëzuan masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe ata për kuvendet komunale në shpalosjen e programeve zgjedhore, të aktiviteteve e apeleve për të votuar. Ndonëse shumica dërrmuese e këtyre postimeve ishin të sponsorizuara, transparenca për koston financiare të fushatave dixhitale, mungon.