Aktualitet Politikë

Nesër zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë/ Këto janë disa nga marrëveshjet që pritet të nënshkruhen në Elbasan.

Elbasani do të jetë qyteti i radhës që do të presë mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, shqiptare dhe asaj kosovare më 26 nëntor.

Lajmin e bëri me dije vetë kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, ku shkruan:

“Nesër mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Elbasan🇦🇱❤️🇽🇰”.

Në mbledhjen e përbashkët do nënshkruhet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kosovës që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve të 2 vendeve. Sipas marrëveshjes së miratuar nga qeveria shtetasit nga Kosova do të marrin leje qëndrimi me afat 5-vjeçar me një aplikim dhe pa dokumente.

Zbardhen disa nga marrëveshjet që do të miratohen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë

Ato që tashmë janë bërë të ditura, janë marrëveshja për sigurime shoqërore, ku është kërkuar autorizimi për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, marrëveshja për lejet e qëndrimit në afat 5-vjeçar, përmes një aplikimi të thjeshtë dhe ajo për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci  ka bërë të ditur se marrëveshja në fushën e arsimit do të jetë për lehtësim të procedurës së njohjes së diplomave.

Po ashtu mësohet se do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin apo rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë.

Pritet të ketë edhe marrëveshje në fushën e sigurisë por të cilat deri më tani nuk janë bërë të ditura.

Të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të marrin lejen e qëndrimit në afat 5-vjeçar së bashku me lejen e punës në Shqipëri, vetëm me një aplikim të thjeshtë.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi duke  shtuar se kjo do të nënshkruhet të premten në takimin e përbashkët të mes dy vendeve.

Po ashtu, gjatë fjalës së tij, ai ka lënë të kuptohet se do të ketë edhe të tjera marrëveshje brenda sektorëve që përfshinë Ministria e Brendshme.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka deklaruar se kanë përfunduar me sukses negociatat për marrëveshjen për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Më tej, Murati shtoi se me këtë marrëveshje qytetarëve që kanë punuar një kohë të gjatë në Republikën e Shqipërisë do tu mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejt që këtë pension ta marrin në Kosovë.