Lifestyle Sociale

“New York Times” artikull për burrneshat shqiptare!

E përditshmja prestigjoze “New York Times”, së fundmi ka zgjedhur që të shkruajë një artikull për një nga traditat shekullore të Shqipërisë. Revista ka bërë një shkrim ku përshkruan historinë e një nga burrneshave të fundit në vendin tonë, Gjystina Grishaj, apo e njohur ndryshe si Duni, si dhe pse kjo traditë po shuhet dalëngadalë.

Një traditë shekullore shqiptare në të cilën gratë deklaroheshin si burra në mënyrë që të gëzonin privilegjet e meshkujve në zonat rurale të vendit, po vdes pasi gratë e reja kanë më shumë mundësi tashmë për të jetuar jetën e tyre. Pak gra sot duan të bëhen ato që antropologët i quajnë “virgjëreshat e betuara” të Shqipërisë, një grup femrash që ‘tradhëtojnë’ gjininë, tradita e së cilës daton shekuj më parë. Gratë betohen për beqari gjatë gjithë jetës dhe gëzojnë liritë e meshkujve, si e drejta për të marrë vendime familjare, për të pirë duhan, për të pirë alkool dhe për të dalë vetëm.

Gjystina Grishaj, 56 vjeçe, përqafoi emrin mashkullor Duni gati 40 vjet më parë. Fshati i saj Lepushë, i cili është i krishterë, vitet e fundit ka filluar të heqë izolimin e tij ‘klaustrofobik’, falë ndërtimit të një rruge dredha-dredha nëpër male që tërheq vizitorët. Shumë të tjera si Duni, bënë betimin në mënyrë që të shpëtonin nga martesat e detyruara. Gratë donin të merrnin role tradicionale mashkullore në familje, ku të gjithë burrat kishin vdekur në gjakmarrje. Të tjera thanë se ato thjesht ndiheshin më shumë si burra sesa si gra.

Mbështetja e kësaj tradite ishte kontrolli i fortë në Shqipërinë veriore të “dorës së Kanunit”, një sërë rregullash dhe normash shoqërore që i klasifikojnë gratë si ‘shërbyese’, qëllimi i të cilave ishte t’u shërbenin burrave. “Ishte një ikje nga roli që iu dha grave,” tha Gjok Luli, një ekspert mbi traditat e Shqipërisë veriore.

Nuk ka shifra të sakta se sa “virgjëresha të betuara” kanë mbetur, por rreth dhjetërave që janë akoma, shumica janë të moshuara. Ashtu si “burrneshat” e tjera, Duni ende i referohen në mënyrë universale, në një mënyrë tradicionale, me përemrat femëror dhe nuk e konsideron veten si transgjinore. Ajo shprehet:

Unë nuk kam jetuar si burrneshë sepse dua të jem burrë në ndonjë aspekt fizik. Unë e kam bërë këtë sepse dua të marr rolin e luajtur nga burrat dhe të marr respektin e një burri.