Aktualitet

Nga 1 korriku, 30% rritje page për ushtrinë!

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se nga data 1 korrik, të gjithë ushtarakët nga ushtari i parë dhe deri tek gradat më të larta do të kenë një pagë 30% më të lartë.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave kemi marrë një vendim që nuk merret shpesh. Të gjithë ushtarakët, nga ushtari i parë dhe deri tek gradat më të larta nga data 1 korrik në bazë të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave do të kenë një pagë 30% më të lartë. Çka do të thotë që paga minimale në Forcat e Armatosura është më shumë se 51 mijë lekë të reja. Shtuar këtu pastaj edhe pagesa shtesë të trajtimit ushqimor dhe trajtime të tjera sipas vështirësive.

Kemi miratuar edhe një aneks, një listë me rreth 38 pozicione apo struktura brenda Forcave të Armatosura që marrin shtesë mbi këtë shtesën e pagës. Mund të veçoj atë që është e para në listën e shtesave edhe që merr shtesën më të lartë, Struktura Ushtarake e Mbrojtjes Kibernetike. Përveç shtesës 30% do të marrë dhe 20 mijë lekë të reja shtesë mbi këtë pagë, për shkak të rëndësisë që ky domain i ri, pra mbrojtja kibernetike ka marrë sot në Shqipëri dhe në të gjithë botën, sidomos edhe pas ndryshimit të të gjithë skemës së sigurisë, pas 24 shkurtit pra agresionit rus në Ukrainë.

Shtesa kemi parashikuar edhe për funksione apo pozicione të tjera të trupave komando, të trupave speciale, të mjekëve që shërbejnë brenda forcave të Armatosura dhe shumë të tjera.

Nga data 1 korrik, ushtarakët tanë do të kenë një nga pagat më të larta në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, në mos më e larta. Fillojnë nga mbi 51 mijë lekë dhe pastaj vazhdojnë deri tek gradat më të larta që marrin rritjen prej 30%. Po rrisim 30% pagën e të gjithë ushtarakëve tanë, për t’i dhënë mbi të gjitha dinjitet, një trajtim dinjitoz, dinjitet e prestigj, si dhe për të hapur dyert, pra për të pasur më shumë prurje në Forcat tona të Armatosura.

Ne jemi aktivë sot, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në misione e operacione ndërkombëtare. Së shpejti do të jemi edhe në Bullgari, në krahun lindor që po përforcohet për shkak të agresionit rus. Javën tjetër kemi Samitin e Liderëve të NATO-s, ku do të merren vendime të rëndësishme, sidomos lidhur me konceptin e ri strategjik NATO 2030.