Aktualitet

Nga 1 shtatori nis faza e 3-të e fiskalizimit!

Nga data 1 shtator blerësit do të marrin në dorë nga shitësi faturë me vulën ose bar codin, e fiskalizimit. Kjo është faza e tretë e këtij processi, për transaksionet me para në dorë midis bizneseve dhe qytetarëve. Në të njëjtën kohë është edhe faza më e vështirë për shkak të numrit të madh të tatimpaguesve që duhet ta zbatojnë.

Në total janë rreth 120 mijë biznese që duhet të zbatojnë këtë reformë, ku 7600 biznese duhet të fiskalizoheshin që në janar, 34 mijë biznese e kishin detyrim prej 1 korrikut, ndërsa pjesa tjetër prej 78.400 subjekte duhet ta nisin zbatimin prej ditës së mërkurë (1 shtator 2021).

Për të nisur procesin bizneset duhet të jenë të pajisura me certifikatë elektronike për fiskalizim të lëshuar nga AKSHI, dhe deri më tani janë lëshuar 53.492 certifikata. Po ashtu bizneset duhet të kenë një pajisje elektronike (kompjuter, laptop apo tablet), të zgjedhin një softuer të certifikuar, një mirëmbajtës të softuerit, një printer të thjeshtë dhe internet të pandërprerë.

Ndërkohë bizneset e vogla mund të vijojnë të përdorin portalin Self Care.

Nëpërmjet kësaj reforme administrata tatimore merr informacion në kohë reale për të gjitha transaksionet që kryhen, dhe mbi to realizon analizat e riskut mbi bizneset. Në këtë mënyrë është më e lehtë identifikimi i abuzimeve dhe nga ana tjetër ulet numri i kontrolleve në terren nga inspektorët sepse kontrollet bëhen nga zyra.

Aktualisht sipas të dhënave të tatimeve janë 23,345 biznese të Fiskalizuara dhe 21,946,945 fatura të Fiskalizuara që prej 1 Janarit të këtij viti. Ndërsa nga 1 Shtatori administrata tatimore do të nxjerrë punonjës të trajnuar në terren për të asistuar bizneset në zbatimin e kësaj reforme.