Design Lifestyle Travel

Nga avion në hotel, atraksioni i ardhshëm turistik premton pamje spektakolare!

Një avion i llojit “Boeing 737” pritet të shndërrohet në një atraksion të ardhshëm turistik, pasi do të shndërrohet në një hotel përrallor në Bali. Sipërmarrësi rus Felix Demin ka ëndrra të mëdha për “Boeing 737” e tij, që e bleu në vitin 2021. 31-vjeçari e bleu avionin nga ish-linja ajrore indoneziane “Mandala Air”, e cila pushoi së funksionuari në vitin 2014.

Tarifa për një natë në bordin e tij është caktuar të kushtojë afërsisht 7300 dollarë. Ngjitur me avionin do të jetë një pishinë gjigante me pamje nga Oqeani Indian, ndërsa do të ketë dy dhoma gjumi dhe dy tualete. Për ta çuar aeroplanin në pozitën e tij buzë shkëmbit, Deminit i nevojiteshin jo vetëm lejet, por koha e një jave në shtator të vitit 2021, gjatë së cilës avioni u transportua në seksione të ndara në skajin e një mali.

Sipas një listimi të “Expedia” për Private Jet Villa nga “Hanging Gardens”, siç është quajtur, do të ketë gjithashtu parkim pa pagesë, një kuzhinë, ajër të kondicionuar dhe akses falas në internet.

“Në pamje të jashtme dhe strukturore, ky është një aeroplan reaktiv që ne e kemi kthyer në një hotel luksoz”, tha Demin.