Aktualitet

Nga e hëna, në Kakavijë ndryshojnë rregullat e kalimit

Nga e hëna, në pikën doganore të Kakavijës ndryshojnë rregullat e kalimit në shtetin fqinj. Me një vendim urgjent si pasojë e rritjes së shifrave të infeksionit të Koronavirusit, Greqia ndryshoi orarin dhe kushtet e kalimit në pikën kufitare. Nga data 1 deri në 15 Mars, orari i kalimit në Kakavijë do të jetë 7:00 e mëngjesit deri në 19:00.

Ndërkaq nuk do të kalojnë me 700, por vetëm 400 persona në ditë. Gjithashtu do të aplikohen teste të shpejta për këdo që hyn në Greqi nga pika kufitare, përfshirë edhe drejtuesit e kamionëve, deri më sot të përjashtuar. Ndërsa karantina nga 7 ditë bëhet 14 për këdo që rezulton pozitiv me COVID-19.

Vendimi pason rritjen alarmante të numrit të të prekurve me COVID në fqinjin tonë jugor, që për mediat greke është pasojë e shtetasve shqiptarë që sipas tyre falsifikojnë testet me qëllim kurimin në spitalet e Janinës.