Celebrities

Nga fëmijëria, deri te “Big Brother Vip Albania”, ja gjithçka që rrëfen Arbër Hajdari në “Më lër të flas”!

I ftuar në këtë episod të “Më lër të flas”, në pjesën e dytë te emisionit ishte Arbër Hajdari, i cili na foli më tepër për fëmijërinë e tij, angazhimin në “Fundjavë Ndryshe”, historitë që e kanë prekur më shumë aty, e shumë të tjera. Lidhur me fëmijërinë e tij, Arbër Hajdari u shpreh si më poshtë.

Kam kaluar një fëmijëri të vështirë. Pata një infeksion i cili më rrezikoi jetën. Prindërit më tregojnë që doktorët asokohe kanë thënë që e kam jetë të dytë, kjo ka zgjatur për rreth 5 vjet. Kam qenë fëmijë i urtë. Jam njeri i qetë, por impulsiv për punët që duhen realizuar për të arritur qëllimin.

E teksa foli për fëmijërinë, Arbër Hajdari u shpreh edhe për mënyrën si ai dhe familja e tij janë ndikuar për shkak të profesionit të babait të tij, pikërisht prokuror.

Babi im është një prind që i ka kryer me devotshmëri obligimet për fëmijët, është një prind shembullor. Detyra që ka pasur ndër vite sigurisht që ka qenë e vështirë, sidomos kur Shqipëria kalonte trazira. Por ne nuk kemi pasur frikë.

Lidhur me krijimin e “Fundjavë Ndryshe”, dhe historitë të cilat ai ka hasur, dhe emocionet e forta që ai ka përjetuar, ja çfarë na tregon Arbër Hajdari.

U krijua me emrin “Fundjavë Ndryshe” sepse donim që njerëzit kur kanë më shumë kohë, pikërisht në fundjavë, të angazhohen fizikisht, jo në lidhje me të ardhurat monetare. Ajo që kam mësuar pranë “Fundjavë Ndryshe” është se nuk ka gjë më të rëndësishme në botë se sa shëndeti, siç kam mësuar edhe që njeriu jeton për njeriun. Ka histori që të godasin shumë fort emocionalisht, njeriu aq sa i fortë është, aq edhe i dobët është. Ka raste që më duhet të kaloj një periudhë i mbyllur në shtëpi apo të kem një shkëputje që të marr veten psikologjikisht. Kjo punë që bëjmë, e bëjmë sepse e ndjejmë, nuk është biznes kjo gjë. Ne ndjehemi mirë që dikujt i ndryshon jeta. Vetëm shpresa që i është dhënë njerëzve, është diçka që nuk ka vlerë monetare.

Por a do të largohet Arbër Hajdari nga roli i drejtuesit të “Fundjavë Ndryshe”?! Ja çfarë zbulon ai në “Më lër të flas”.

E kam thënë që do të largohem për dy arsye. E para sepse mendoj që pranë “Fundjavë Ndryshe” ka njerëz shumë të motivuar, shumë të zgjuar. Gjithashtu sepse dua që të gjithë njerëzit ta kuptojnë se pavarësisht që unë e themelova, ne duhet të mësojmë në Shqipëri të lirojmë vendin.

E sigurisht që nuk mund të mungonin pyetjet në lidhje me “Big Brother Vip Albania”.

“BBV” ka qenë eksperiencë e bukur, por një eksperiencë e vështirë sepse unë përfaqësoj një punë. Kryesisht kam pasur komente të mira. Po të kisha hyrë më përpara, ndoshta për shumë gjëra do të isha më i kujdesshëm. Më erdhi keq kur ju pashë juve në gjendje të rënduar psikologjike.

Por a do të jetë Arbër Hajdari opinionist në “BBV2”?! Ja si përgjigjet ai në “Më lër të flas”.

Kjo varet nga shumë gjëra. Nuk e di a do jem pjesë e “Big Brother Vip Albania”. Është 50 me 50. Është në varësi të projekteve që po realizojmë.

Jo vetëm për angazhimet profesionale, por Arbër Hajdari na zbuloi gjithashtu më tepër lidhur me partneren e tij dhe planet e tyre të përbashkëta.

Ne kemi dy vjet gati të fejuar, kemi 4 vjet bashkë gjithsej. Jemi një çift që duam t’i bëjmë gjërat në kohën e duhur. Unë nuk jam munduar kurrë të ndryshoj personalitetin e saj, unë e dua sepse ajo ka atë personalitet.