Aktualitet

Nga ferri i “Al Hol”-it, riatdhesohen 5 gra e 14 fëmijë, Rama njofton për një tjetër operacion!

Shqipëria riatdhesoi 5 gratë shqiptare dhe 14 fëmijë nga kampi “Al Hol” në Siri. Të lidhur me luftëtarë shqiptarë që iu bashkuan grupeve ekstremiste islamike në Siri e Irak, nga sot ata janë kthyer në atdhe me një charter që fluturoi nga Bejruti i Libanit e rreth orës 08:00 të mëngjesit u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Kryeministri Rama dhe Ministri i Brendshëm, Çuçi ishin në Bejrut ku takuan gjeneralin libanez Abass Ibrahim, i cili luajti rol kyç në përpjekjet e riatdhesimit, në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës nga vende të tjera.

Kjo ishte përpjekja e tretë për riatdhesimin e shqiptarëve nga territoret luftarake në Siri. Tetorin e kaluar ishte radha e një gruaje e katër fëmijëve ndërsa një tjetër i mitur u riatdhesua një vit më parë.

Siç bëri të ditur kryeministri Rama në një konferencë shtypi nga mjediset e aeroportit pritet edhe një përpjekje e katërt, ndërsa operacionin më të fundit e përshkroi si shumë të rrezikshëm.

Ka një operacion tjetër potencialisht që do të zhvillohet, pasi është punë terreni për të gjetur ata persona në ato vrima të zeza. Llogarisim një numër pak a shumë me këtë të sotmin, në mos më pak. Rol të rëndësishëm në këtë operacion luajti edhe struktura e Antiterrorit në Ministrinë e Brendshme. Ministrin e falënderoj sepse prej muajsh ndoqi operacionin.

Rama tha se dy vetë refuzuan të largoheshin nga kampi sirian.

Operacione të kësaj natyre janë të vështira sepse nuk zhvillohen në terren miqësor, kampet nuk janë kampe pushimi po as shtetërore të sistemuara sipas një rregulli të caktuar. Janë kampe lufte, me autoritetet që variojnë. Puna që bëhet është e dyfishtë, me ata që administrojnë kampet dhe me personat e infiltruar për të mbledhur informacion. Brenda kampit ka dinamika të ndryshme, ka njerëz që nuk shfaqen fare, ka që janë pengje të të tjerëve aty e të gjitha e bëjnë operacionin kompleks. Pati dy raste personash që refuzuan të vijnë. Nga informacionet e marra, ata janë pengje brenda kampeve, kanë frikë dhe frikën e bazojnë në faktin se gjatë shkëputjes mund t’iu marrin jetën.

Sa iu përket të riatdhesuarve, pritet t’iu nënshtrohen një periudhe karantinimi e do t’iu bëhen analizat mjekësore.

Disa qindra burra shqiptarë iu bashkuan Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera që luftuan në Siri dhe Irak në fillim të viteve 2010. Shumë u vranë ndërsa gratë e fëmijët e tyre u ngujuan në kampe.