Celebrities Gossip Showbiz

Nga fillimet e karrierës e deri te planet për të luajtur në një film, Diona Fona zbulon shumëçka për TAR!

E ftuar në ‘Pardon My French’ këtë pjesë të parë ishte këngëtarja e njohur e showbiz-it Diona Fona. Këngët e saj kanë rezultuar tepër të pëlqyera nga publiku. Gjatë vitit të kaluar, përveç suksesit si këngëtare, ajo na ka habitur të gjithë duke u bërë imazh i markës ‘Fenty Beauty’, linjës kozmetike të divës së muzikës pop, Rihanna.

E pas një pauze mjaft të gjatë me intervista dhe dy javë pas lansimit të ‘Mama’, bukuroshja jep një intervistë ekskluzive për TAR.

Fillimisht, ajo na tregoi se si nisi karriera e saj në tregun muzikor shqiptar.

Isha në Londër duke kryer studimet në fakultet dhe më duhej të kthehesha për shkak të pandemisë në Prishtinë. Ishte vërtet një sfidë, por besoj që ishte një sfidë që ia ka vlejtur. E gjeta një pjesë të vetes në muzikën shqiptare.

Por, sa e vështirë ka qenë për Dionën katapultimi në tregun muzikor shqiptar, një treg i vogël por me mjaft artistë. Sa mbështetje ka pasur bukuroshja nga kolegët e saj?

Për një artist/e të re është shumë fillim i vështirë, tregu është shumë i vështirë, ka sfida. Unë i kam raportet mirë me gjithë kolegët po mendoj se suporti mund të jetë më i mirë. 

E për sa i përket bashkëpunimeve që janë bërë trend së fundmi, do të presim diçka nga Diona me ndonjë artist të njohur?

Duetet kam qejf t’i përzgjedh natyrshëm. Nuk po zbuloj, nuk po zbuloj. Nuk po them pa u përfunduar e gjitha. Ka prej Shqipërisë, është këngëtar.

Diona gjithashtu na zbuloi dhe një dëshirë të saj ‘të fshehur’ lidhur këtë herë jo me muzikën, por me filmin.

Me rëndësi është të punoj për ëndrrat e mia që i kam shumë ‘big’. E kam menduar veten dhe shumë në film, ka për të pasur besoj dhe diçka atje prej meje.