Aktualitet

Nga janari, trajtime financiare për fëmijët e atyre që humbin jetën në detyrë!

Sot në të fundit seancë plenare për këtë vit, kryeministri Edi Rama foli për nismën e re ligjore lidhur me statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, që hyn në fuqi nga janari 2022 dhe siguron mbështetje nga shteti për fëmijët e atyre që humbin jetën në krye të detyrës.

Me votën e sotme, Kuvendi do të përcaktojë një status të ri për të gjithë fëmijët apo personat nën kujdestari të Dëshmorëve të Atdheut, të mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën si rezultat i pandemisë në krye të detyrës, të personave që kanë humbur jetën në përpjekje për të mbrojtur pronën publike ose shpëtuar dhe mbrojtur jetën e individëve të tjerë, shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën si pasojë e kryerjes së detyrës në gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Përfitimet e statusit:

Statusi “Fëmijë nën kujdesin e Republikës” përfitohet deri në moshën 18 vjeç, por vijon deri në 25 vjeç, nëse ndjek arsimin e lartë. Trajtimi financiar mujor llogaritet në bazë të pagës mujore më të lartë të prindit, në masën 100% kur është një fëmijë, në 70% për secilin kur janë dy fëmijë, 50% kur janë tre fëmijë dhe 40% kur në ngarkim të personit janë 4 fëmijë.

Ndërkohë, në sistem parauniversitar përfitojnë të gjitha bursat apo pagesat, pavarësisht faktit se marrin mbështetje maksimale mujore nga shteti. Përfitojnë një përjashtim tërësor nga tarifa vjetore e shkollimit kur ndjekin arsimin e lartë, pavarësisht nivelit përkatës të fashës në të cilën gjenden nga pikëpamja e rezultateve. Përfitojnë asistencë profesionale falas në fund të çdo cikli arsimor, mbështetje në trajtim preferencial për punësimin e tyre në përfundim të arsimit të lartë.

Kryeministri u ndal te një tjetër nismë sociale:

Duke nisur nga janari, të gjitha nënat me 3 e më shumë fëmijë në skemën e ndihmës ekonomike do të përfitojnë dyfishin e ndihmës, ashtu sikundër të gjitha vajzat dhe gratë e dhunuara apo të trafikuara, nënat me fëmijë me aftësi ndryshe dhe po ashtu jetimët që janë në skemën e ndihmës ekonomike.