Celebrities Lancio Music Showbiz

Nga “Malli” tek hapat e tij të ardhshëm, çfarë ka planifikuar Gesko?!

Mbrëmjen e kaluar, ishte i ftuar në studion e “Lancio” nëpërmjet një lidhjeje telefonike, Gesko. Gesko është duke shijuar suksesin e këngës së tij më të re të titulluar “Malli”, e cila qendron prej dy javësh si pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare në Top Awards. “Malli” ka arritur të pozicionohet në vend të 3-të në klasifikimin e “The Top List”, duke u rritur kështu me plot 97 vende nga java e kaluar.

Gesko ka rreth 5 vite që merret me muzikë dhe ka pasur një numër të konsiderueshëm bashkëpunimesh, ashtu si edhe projekte ‘single’, ku mund të përmendim BimBimma, Dj PM dhe Dj Dagz apo Cricket. Çfarë mund të thotë ai për bashkëpunimet me këtë të fundit?

Kemi tre vjet, që nga viti 2018 që bashkëpunojmë me Cricket, ku kemi punuar në projekte për artistë të tjerë, por gjithashtu edhe në disa projekte të miat të cilat i kam publikuar. Tani kam hapur studion time dhe po punoj në projekte të reja vetë. 

Projekti i tij “Malli”, a është një dedikim për dikë? Si erdhi frymëzimi për këtë këngë?

Këtë këngë e kam punuar që vitin e kaluar. Ishte koha e karantinës dhe e kam punuar këtë demo. Në atë kohë kam punuar dhe shumë këngë të tjera por kjo m’u duk më e përshtatshme për ta publikuar. Është bërë 1 muaj që kur u publikua dhe po pritet goxha mirë nga njerëzit.

A e kishte pritur Gesko që kjo këngë do të kishte një impakt kaq të madh tek publiku?

Në fakt nuk e prisja. Falenderoj të gjithë ata që u ka pëlqyer kënga dhe që më shkruajnë mesazhe dhe që e dëgjojnë muzikën time. Ka dhe mesazhe negative që thonë: “Mos u merr me këtë punë”. Pastaj hyjnë dhe shohin se kush jam unë, e shumë hite që ata dëgjojnë, i kam punuar unë. Dhe e ndërrojnë mendjen, mendojnë pak më ndryshe. 

Si e sheh Gesko tregun shqiptar, a do të mund të bënte diferencën mes atij shqiptar dhe atij kosovar?

Nëse do ta kisha bërë diferencën, në Kosovë është më ‘In’ kjo rryma e Hip-Hop. Kurse tek ju është më tepër pjesa e këndimit R&B dhe disa lloje të tjera muzike që i dëgjoni më shumë. Por mendoj që të dyja janë shumë të mira. Nuk kam qejf që t’i ndaj. 

Cilat janë projektet e tua të reja këto kohë?

Në fakt i kam nja 10 projekte gati në përfundim. Kënga tjetër besoj se do të dali shumë shpejt, brenda këtyre 2 javëve de do i pëlqejë shumë publikut. Titullin nuk ia kam vendosur akoma. Tema është për dashurinë. 

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “Malli” e Geskos, ju mund ta votoni atë për të qendruar sa më gjatë si pjesë e klasifikimit.